Botë

Kriza e grurit, Blinken: Rusia përdor ushqimin si armë lufte

09.08.2023 17:29

Rusia vazhdon ta bllokojë portin e grurit në Detin e Zi....

Rusia vazhdon ta bllokojë portin e grurit në Detin e Zi. Shumë vende të varfëra në botë, kanë mbetur pa ushqim. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, thotë se Rusia ushimin e përdorë si armë lufte për të rrënuar vendet Perëndimore.
 
“Ajo që Rusia po propozonte është që të dërgohet grurë në një duzinë shtetesh – rreth 50,000 tonë. Nisma e drithërave të Detit të Zi dërgoi njëzet milionë tonë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ajo që rusët propozonin si kompensim për daljen nga marrëveshja është një pikë në kovë e asaj që po merrnin vendet dhe çfarë u duhej. Kombet e Bashkuara me 91 vende nënshkruan një deklaratë që thoshte se ushqimi nuk duhet të përdoret si armë lufte.”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. 
 
Erdogan: Perëndimi të përmbushin detyrimet e veta
 
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se ka ende mundësi për të gjetur një zgjidhje për ripërtëritjen e marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, por theksoi se kjo varet nga përmbushja e përgjegjësive nga vendet perëndimore.
 
“Zgjidhja e ngërçit varet nga përmbushja e premtimeve nga vendet perëndimore. Në të kaluarën, për fat të keq, nuk është respektuar parimi i marrëveshjes. Asnjë hap diplomatik nuk është ndërmarrë për të rikthyer atmosferën pozitive që erdhi nga nisma e Detit të Zi.”, tha presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
 
Erdogan theksoi se përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë me palët do të vazhdojnë. Erdogan luajti rol kyç për marrëveshjen tashmë të mbetur pezull për eksportin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si palë neutrale në konflikt. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, i mundësonte Ukrainës eksportin e drithërave përmes porteve në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq. Sulmet në Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdonte marrëveshjen. Nga sulmet ruse me dronë janë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë ditëve të para të këtij muaji.
 
FARIJE DAUTI BAKIU