Maqedoni
Eurointegrimet, Orav: lini fjalët e bukura, përvishuni punëve
04.03.2015 14:59
Euroambasadori, Aivo Orav, kërkon nga institucionet të punojnë më me përkushtim për procesin e integrimit evropian...

Deri tani u kënaqëm me fjalë të bukura, thotë Orav, por tani është koha e punëve serioze.
“Viteve të kaluara kemi dëgjuar fjalë të mrekullueshme për integrimin e vendit në BE. Tani është koha të gjithë politikanët, e përsëris edhe një herë, të gjithë politikanët të tregojnë se këto fjalë i mbështesin me vepra. Këtu jemi për t'i ndihmuar vendit tuaj në rrugën drejt BE-së, por duhet ta shohim nëse me të vërtetë e dëshironi këtë”- deklaroi ambasadori i BE-së në RM-së, Aivo Orav.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, thotë se nuk ka mungesë të arsyeshme nga agjenda evropiane dhe nuk ka politikë të cilën qytetarët do ta mbështesin jashtë agjendës evropiane. Sipas Besimit, ekziston konsensus i përgjithshëm politik në vend dhe mbështetje e madhe nga qytetarët.
“Drejtimi ynë është dhe duhet të mbetet Bashkimi Evropian dhe perspektiva euroatlantike. Kjo gjë e transformuar nga fjalë në aktivitete apo aksione, siç tha ambasadori Orav, do të thotë realizim i plotë i rekomandimeve të cilat dalin nga Raporti i KE-së, qeverisje të së drejtës, liri të të shprehurit, luftë kundër korrupsionit, marrëdhënie të mira ndërenike, dialog politik dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ajo që qëndron në rrugën e Maqedonisë është ruajtja e kursit të eurointegrimit. Ajo që është e rëndësishme në këtë periudhë pas gjashtë viteve status-kuo me rekomandim, pa i filluar negociatat, mbështetja e qytetarëve, angazhimi i përfaqësuesve politik është i domosdoshëm, ndërsa ajo që nuk duhet të ngecë është përgatitja e administratës për hapin e ardhshëm”- deklaroi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi.
Projekti për përforcimin e kapaciteteve për procesin e integrimit evropian do të zbatohet 21 muaj në SÇE dhe ministritë kyçe dhe mbështetet financiarisht me 1,7 milionë euro përmes BE-së.
BESA JASHARI
