Gruevski: Fëmijët pa prindër, punësim të siguruar
Kryeministri, Nikolla Gruevski, u dorëzoi vendimet për punësim të përhershëm 30 personave që kanë statusin paprindër dhe pakujdes të prindit deri në moshën 18 vjeçare...

Vendimet e punës janë garanci se këta persona sapo të mbushin 18 vite të plota do ta kenë të garantuar punësimin. Me këtë qeveria shpreh gatishmëri që t’u dalë në ndihmë grupeve më të rrezikuara sociale në Maqedoni, në mesin e të cilëve janë edhe fëmijët pa prindër.
“Deri më vitin 2014 janë punësuar 83 persona në institucionet shtetërore, ndërsa sot ndajmë vendimet për punësimin e 30 personave të cilët duhet të punësohen gjatë viti 2015. Përskaj punësimit të këtyre personave, sipas programit të qeverisë kemi paraparë punësimin e të gjithë të rinjve të cilët në të ardhmen do të lëshojnë Qendrën për Përkujdesje të Fëmijëve pa Prindër”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
“Inkuadrimi në tregun e punës besoj se është kontributi më fitimprurës në aspekt personal, për këtë shkak programi D10, i cili po realizohet sipas kritereve dhe kushteve te parapara, është ndihmesë për të mundësuar kushte jetësore normale dhe punësim dhe kushte të njëjta për avancim njëlloj si të gjithë qytetarët”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Gruevski me këtë rast theksoi se për këta persona deri më tani kanë siguruar 134 banesa sociale. Është aplikuar ndihma mujore financiare në vlerë prej 24 mijë denarësh për të gjithë ata që do të regjistrohen në fakultete.
Janë realizuar trajnime për aftësi kompjuterike dhe gjuhë angleze, ku janë përfshirë 400 persona. Gruevski, njëhërit theksoi se kanë rritur ndihmën e njëhershme për personat që dalin nga institucionin për fëmijë pa prindër dhe përkujdesje prindërore prej 300 në 3000 euro, të cilën në vitin 2014 e kanë shfrytëzuar 30 persona. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
