Maqedoni

Rruga që lidh qytete turistike Strugën dhe Ohrin në gjendje të mjerueshme

10.08.2023 15:37

Në kulmin e sezoni turistik, rruga që lidh qytetet turistike është shumë e pasigurtë.....

Në kulmin e sezoni turistik, rruga që lidh qytetet turistike është shumë e pasigurtë. Turistët dhe shoferët që udhëtojnë në rrugën për Ohër dhe Strugë përballen çdo ditë me rrugët dhe gropa të rrezikshme, sinjalizim të dobët, barriera me beton si dhe devijime të rrugës. Më kritike është në Podmol, ku ndahet rruga e dy qyteteve. 
 
“Me të vërtet është katastrofë, gropë pas grope, diçka kështu nuk kam parë. Siç vjen prej Shkupi në Ohër, gjithçka është shumë keq.”, u shpreh një turist.
 
“Ka vite që ekziston ky problem si tek njëri ashtu edhe tek qyteti tjetër.”, tha një turist.
 
“Rrugët duhet të jenë më të mira, këtu është njëjtë si në Belgjikë por rrugët janë me gropa.”, u shpreh një turist.
 
Edhe çiklistët nga vendet e huaja të cilët udhëtojnë në vende të ndryshme të botës, thonë se ndihen të pasigurtë.
 
“Problemi i vetëm për mua është që veturat më afrohen shumë afër teksa lëviz, por edhe ata nuk kanë ku të shkojnë. Nga Struga ka vetëm një korsi të vogël për biçikleta vetëm 2km, ndërsa pjesa tjetër duhet të rregulloet.”, u shpreh një çiklist.
 
Për vite me rradhë, edhe rruga nga Aeroporti i Ohrit mbetet e pasigurtë. Në kryqëzimin e dy qyteteve turistike qëndrojnë ende mbetje të betonit nga rrethi i improvizuar para ca kohësh. Ndërsa ndërtimet për këtë pjesë të rrugës po zgjasin pothuajse 3 vite. E gjithë rruga, nga Debarca në Podmol është në gjendje të mjerueshme, ku në vitet e fundit kanë ndodhur aksidente të shumta të cilët kanë përfunduar edhe me viktima. 
 
ILMIJE ZHAKU