Botë

Zjarre të fuqishme në Havai, 55 të vdekur dhe mbi 1000 të zhdukur

11.08.2023 12:14

Gjithsej 55 trupa janë gjetur deri më tani pas situatës apokaliptike dhe zjarreve të fuqishme në Havai....

Gjithsej 55 trupa janë gjetur deri më tani pas situatës apokaliptike dhe zjarreve të fuqishme në Havai, teksa numri i të vdekurve pritet të rritet. Autoritetet nuk e dinë saktësisht se sa janë të zhdukur, ata vlerësojnë rreth 1000 dhe linjat e rëna të komunikimit po e bëjnë të vështirë gjetjen e njerëzve. Mijëra njerëz janë zhvendosur pasi qindra shtëpi u dogjën, kryesisht në qytetin bregdetar perëndimor të Lahauna. Asnjë nga zjarret që digjen aktualisht nuk është 100% i kontrolluar, thonë autoritetet zjarrfikëse. Kjo është “fatkeqësia më e madhe në historinë e shtetit”, thotë guvernatori i Havait.
 
“Ajo që pamë ishte shkatërrimi i plotë i Lahaina, ajo që pamë ka të ngjarë të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e shtetit të Havait. Po shohim humbje jete këtu. Numri vjen duke u rritur dhe do të vazhdojmë të shohim humbje jetësh. Kemi parë gjithashtu qindra shtëpi të shkatërruara dhe kjo do të marrë shumë kohë për t'u rikuperuar. Kjo është arsyeja pse ne jemi bashkë. Ne bashkohemi për t'i dhënë ngushëllim njerëzve.”, tha Josh Green, guvernator i Havait.
 
Shumë banorë kërkojnë të afërmit e tyre të humbur.
 
“Doja ta detyroja të vinte me mua babain, pasi nisën flakët e zjarrit, por babai nuk erdhi. Ai ishte shumë kokëfortë. Tani nuk kam asnjë kontakt me atë. Zona është djegur dhe nuk e di çka mund t’i ketë ndodhur.”, tha Liza Tobias, banore.
 
“Për shkak të shërbimit telefonik nuk kam asnjë kontakt. Shoqja ime nuk ndodhet as në Qendrën Qytetare-strehimore për të evakuuarit nga zjarri – nuk di çka ka ndodhur e kam kërkuar kudo. I kam humbur shpresat dhe pres ta sjellin trupin e saj.”, tha Melissa Young, banore.
 
Autoritëtët në Havai bëjnë thirrje për 2,000 dhoma për të strehuar të evakuuarit dhe qytetarët që kanë mbëtur pa strehim. Të evakuuarit gjithashtu janë paralajmëruar të mos kthehen në shtëpi, pasi zonat e zjarrit mbeten të rrezikshme dhe kushtet janë të paparashikueshme. Pamjet e filmuara nga ajri me helikopterë dhe dronë, shfaqin pamjet apokaliptike si pasojë e këtij zjarri që “rrafshoi” gjithçka.
 
FARIJE DAUTI BAKIU