Maqedoni
Aliti–Bejli: Institucionet të kthejnë besimin e qytetarëve
04.03.2015 16:27
Zhvillimet aktuale politike në vend, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe bashkëpunimi midis dy vendeve kanë qenë në fokus gjatë takimit...

Zhvillimet aktuale politike në vend, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe bashkëpunimi midis dy vendeve kanë qenë në fokus gjatë takimit midis nënkryetarit të Kuvendit, Rafis Alitit dhe ambasadorit amerikan, Xhes Bejlit.
Në takim është folur edhe për besueshmërinë e institucioneve të vendit, veçanërisht pas thellimit të krizës politike pas aferës me përgjimet dhe rastin “Puç”.
Nënkryetari Aliti tha se ambasadori Bejli ka inkurajuar atë se institucionet e vendit dhe sidomos organet e drejtësisë duhet të bëjnë çmos për të kthyer besimin e qytetarëve dhe rastet të marrin epilog të drejtë.
“Folëm për gjërat të cilat janë aktuale në RM-së, po ashtu folëm edhe rreth asaj se qytetarët e RM-së pas ngjarjeve të fundit kanë humbur besimin te institucionet e Maqedonisë dhe mund të përballen me probleme të cilat janë aktuale, e kam fjalën për institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë. Gjithsesi se sugjerimi i atij ishte se duhet të punojmë në ndërtimin apo ngritjen e institucioneve që të jenë në nivel të detyrës, që të ballafaqohen edhe me një krizë politike, siç është kjo tani në RM-së. Vetëm ashtu ndamë mendimin se mund të dalim si vend më të fuqishëm, më të fortë mbi të gjitha nëse organet e drejtësisë e zbardhin rastin ashtu konformë ndodhive që kanë ndodhur”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafis Aliti.
Sa i përket ndërmjetësimit ndërkombëtar në krizën e thelluar politike, Aliti tha se BDI mbetet në qëndrimet për të shtuar se nuk është rast i parë që ky subjekt ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar, por një gjë e tillë nëse do të ndodhë, sipas tij, do të varet nga vetë mënyra e menaxhimit të situatës.
Ndryshe, nënkryetari i Kuvendit, Aliti, i ka shprehur mirënjohje ambasadorit Bejli për mbështetjen që çdoherë ia japin Shtetet e Bashkuara Maqedonisë në rrugën e saj euroatlantike, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe bashkëbiseduesit i kanë cilësuar si të shkëlqyera.
NAIM RAMADANI
