Botë
Bosnjë dhe Hercegovinë, tre të vrarë dhe tre të plagosur në Tuzlla
11.08.2023 17:03
Tre persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një qytet në afërsi të kantonit të Tuzllës në Bosnjë dhe Hercegovinë...

Tre persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një qytet në afërsi të kantonit të Tuzllës në Bosnjë dhe Hercegovinë, njoftoi Ministria e Brendshme eTuzllës. I dyshuari Nermin Sulejmanoviq, 35 vjeç, është gjetur i vdekur nga forcat e policisë në zonën e qytetit verilindor të Bosnjës, Gradaçacit. Ai kreu vetëvrasje.
“Sulejmanoviq e vrau ish-bashkëshorten dhe dy burra të tjerë, babë e bir, me pistoletë. Ai, po ashtu, e plagosi një polic, si dhe një burrë tjetër dhe një grua në lokacione të ndryshme në Gradaçac”, njoftoi Zyra e Prokurorit në Tuzlla.
“Policia e gjeti atë të vdekur në veturën e tij, dhe operacioni i policisë po vazhdon”, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i kantonit të Tuzllës.
Ndjekja e të dyshuarit zgjati disa orë. Ai kishte publikuar hollësi nga akti i vrasjeve në dy postime të ndara në rrjetin social Instagram, por ato përmbajtje janë fshirë më vonë nga vetë rrjeti social. Ministria e Brendshme konfirmoi se videot e shpërndara në rrjetet sociale nga i dyshuari janë fshirë.
