Jankullovska: Nuk e shoh të arsyeshme të jap dorëheqje

04.03.2015 16:54

Që kur LSDM-ja filloi me shpërthimin e “bombave” me bisedat telefonike mes funksionarëve dhe ministrave në Qeverinë e Gruevskit, numri “një” i Punëve të Brendshme ka ndejtur larg mediave dhe opinionit...

Por, heshtjen rreth kësaj çështje Jankullovska e theu sot. Ajo nuk ka dashur të komentojë bisedat e publikuara nga opozita, e njëkohësisht nuk e sheh të arsyeshme as të japë dorëheqjen edhe pse gjykata dhe kryeministri konfirmuan që dy të punësuar të MPB-së kanë përgjuar ilegalisht. Për të është më me rëndësi që rasti të marrë epilog të drejtë institucional.

“Nuk dua të komentoj materiale të cilat janë siguruar në mënyrë joligjore, të cilat janë të krijuara në funksion të arritjes së qëllimit politik të një partie politike, e cila s’ka çfarë tjetër t’u ofrojë qytetarëve. Me rëndësi është që rasti të fitojë epilog të drejtë institucional”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Në krah të saj sot ishte edhe kreu i Shkupit, Koce Trajanovski, të cilit nuk i bën përshtypje se privatisht ministrja e Brendshme e akuzon për afera korruptive.

“Pra, ne duhet të punojmë në realizimin e projekteve. Ajo çfarë mendojmë për njëri-tjetrin ka shumë pak rëndësi. Rëndësi ka se kur t’i punon në projekte, do të thotë që t’i e kryen funksionin tënd”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Edhe për kryeministrin ka fare pak rëndësi se çka përmbajnë bisedat e publikuara, me rëndësi është se përse dikush ka nevojë të shkruaj me porosi të koduara nëse nuk vepron në mënyrë të paligjshme. (Sanije Kasami, TVM2)