Përvjetori i masakrës së Lubotenit, përkujtohen 10 civilët e masakruar

12.08.2023 14:24

Luboteni përkujton masakrën e vitit 2001....

Luboteni përkujton masakrën e vitit 2001, nderon martirët e lirisë…

Në këtë fshat 22 vite më parë, u krye një ndër masakrat më mizore gjatë konfliktit të vitit 2001, ku forcat paramilitare maqedonase vranë 10 civilë në mesin e të cilëve edhe një fëmijë gjashtë vjeçarë”

“Armiku nuk kishte mëshirë, me granatime të njëpasnjëshme e vranë Erxhan Aliun, gjashtë vjeçar. E çfarë faji pati ky fëmijë, që ia morrën jetën në lule të fëmijërisë” – u shpreh vëllai i dëshmorëve, Mevludin Bajrami.

Grubi: Kjo ngjarje është dëshmi e krimeve të luftës

Masakra e Lubotenit përveç që ishte ngjarje tronditëse dhe e dhimbshme për shqiptarët, u bë edhe ngjarje me të cilën iu dëshmua botës lufta e padrejtë dhe krimi që i është bërë popullatës shqiptare në Maqedoni të Veriut, theksoi zv/kryeministri i parë, Artan Grubi, i cili përkujtoi ditën kur edhe ndodhi kjo tragjedi.

“Ditën kur ndodhi, u ballafaqova me familjarët të cilët i solli një veturë e OSBE-së në zyrën time, për ti proceduar më pastaj. Raportuan për krimet makabre të cilët i kishte bërë policia këtu. Përfundimi i gjithë kësaj ishte që në Tribunalin e Hagës u gjykua vetëm për rastin e Lubotenit, nga të gjitha rastet në Maqedoni për luftën e vitit 2001, vetëm një rast u shpall fajtor, e ajo është policia maqedonase për krimet që i bëri këtu në fshatin Luboten ndaj popullatës civile dhe të pafajshme” – deklaroi Zv.Kryeministri i parë i vendit, Artan Grubi.

Veliu: U tentua shfarosja e shqiptarëve

Përveç vrasjeve makabre, policia maqedonase dogji 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

“Ne të UÇK-së kemi qenë rreth e rrotull, por shtetrrethimi ishte i madh, nuk ka mundur të hyjë askush këtu nga UÇK-istët, sepse ata arsyetoheshin se ne po sulmojmë UÇK-istët, por ata sulmonin popullatën në emër të UÇK-së, për ta zhdukur nga dheu atë dhe të gjithë juve këtu” – u shpreh Kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.

Ademi: Vazhdon beteja për të ruajtur dinjitetin

Deputeti Arbër Ademi tha se edhe pse shqiptarët tani gëzojnë ditë më të mira, lufta për të drejta të barabarta vazhdon edhe më tej.

“Kjo sakrificë, e ky angazhim, e ajo dëshirë e pa epur ndër shqiptarët që t jetojnë të lirë e të barabartë, në kuadër të një organizimi të udhëhequr nga Ali Ahmeti kulminoi dhe rezultoi në ditë më të mira, në ditë në të cilat ende vazhdon beteja jonë për të respektuar dinjitetin e gjithësecilit”. – tha Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.

Për rastin e Lubotenit, Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte dënoi me 12 vite heqje lirie ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, por që i njejti u lirua pasi mbajti tetë vite burg, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. (Ersan Pajaziti, TVM2)