Mungesa e parkingjeve, shqetësim për qytetarët

12.08.2023 18:51

Vetura të parkuara mbi trotuare...

Vetura të parkuara mbi trotuare, në mes të njërës korsi apo hapësirave të gjelbra dhe qytetarë të nervozuar. Kjo është pamja e parë që mund të haset në lagjen Çair të Shkupit.

Të dalësh apo të parkosh automjetin tuaj kur shkon apo kthehesh nga puna, është pothuajse mision i pamundur, pasi që viteve të fundit vërehet mungesë e theksuar e vendeve të lira të parkimit para çdo objekti banesor.

Qytetarët e intervistuar thonë se rrëmuja më e madhe e vendeve të parkimit ka ardhur si rezultat i mos sigurimit të parkingjeve para objekteve të reja banesore, andaj dhe shihen automjete të parkuara gjithandej në çdo orë të ditës.

Për shkak të kësaj, ata thonë se është cenuar e drejta e tyre e jetesës urbane me hapësira, gjelbërime, parkingje të mjaftueshme dhe kënde fëmijësh në afërsi të objekteve ku ata banojnë. 

“Problemi është se ka shumë ndërtesa dhe janë bërë shumë objekte, ndërsa parkingje nuk ka. Vetëm ndërtojnë banesa, ndërsa parkingje ka shumë pak, apo ka vetëm parkingje të vogla. Unë për vete kam garazh, ndërsa te ndërtesa ku jetoj janë vetëm 15 parkingje, ndërsa ka rreth 60 banesa.”.

“Ka shumë vetura nëpër rrugë, nuk mund të kalojmë, të parkuara gjithandej, nuk ka as parkingje, rrëmujë e madhe. Ku qëndron problemi? Nuk e di me saktësi, mirëpo ma merr mendja se kur do të përfundojnë ndërtesat duhet të jenë të përfunduara edhe të siguruara edhe vendet e parkimit.”

“Shumë pak vende të parkimit ka. Unë shpesh them se nëse në një objekt banesor jetojnë 30 familje, duhet t’u sigurohen dy herë më shumë vende të parkimit, pasi që çdo familje sot ka nga dy vetura, pra të ketë gjithsej 60 vende parkimit, ndërsa ka objekte ku nuk ka fare vende për parkim.”.

”Unë mendoj se për këtë problem askush nuk interesohet, as investitorët e as përfaqësuesit e komunave. Në përputhje me ligjin, çdo ndërtesë duhet të ketë vende të caktuara për parkim dhe hapësira të gjelbra, andaj sot nuk kemi ku të parkohen veturat dhe shohim vetura të parkuara gjithandej nëpër rrugë.” – thanë disa nga banorët e Çairit të anketuar nga TVM2.

Ekspertët: Investitorët ti përmbahen ligjit

Por, ky problem nuk është vetëm në Komunën e Çairit. Mungesë e theksuar e vendeve të parkimit haset nëpër shumë lagje në kryeqytet, thotë arkitekti Nikolla Vellkovski, i cili gjatë vitit 2000 - 2003 ka qenë arkitekti i fundit në Qytetin e Shkupit. Ai e njeh shumë mirë këtë problematikë dhe thotë se keqpërdorimet më të mëdha bëhen në atë mënyrë që investitorët nuk e realizojnë projektin e tyre për të ndërtuar vendet e parkimit edhe pse i kanë parashikuar në projekt, ndërsa nga ana tjetër kalojnë pozitivisht raportet e pranimit teknik.

“Kur bëhet fjalë për parcela të vogla urbanistike dhe ku në lartësi kemi objekte të larta dhe banesa të shumta, investitorët në hapësirat e podrumeve apo katin përdhes lënë hapësirë  dyfishë më të  madhe në lartësi për të siguruar vende të mjaftueshme të parkimit për banorët, ku në të do të vendosen pajisje të veçanta në formë ashensori për parkimin e automjeteve,  njëra mbi tjetrën, ku hipotetikisht, nëse ka hapësirë vetëm për 5 vende për parkim, me këtë ashensor, me automatizëm dyfishohen vendet e parkimit dhe ata  sigurojnë 10 vende për parkim. E këtë gjë në të shumtën e rasteve e keqpërdorin investitorët. Pra, në letër ata parashikojnë vende të mjaftueshme, ndërsa në fund nuk i vendosin këto pajisje dhe për këtë arsye krijohet rrëmujë me parkingjet para objekteve banesore. Nëse kompanitë private mbikëqyrëse të këtyre objekteve nuk i nënshkruajnë raportet përfundimtare të pranimit teknik, ku do të konstatojnë gjendjen reale, nëse ata kanë ndërtuar objektin në përputhje të projektit të parashikuar apo jo, investitorët nuk do të mund të regjistrojnë objektin në kadastër.” – u shpreh arkitekti, Nikolla Vellkovski.

Por, sa inspektorët e ndërtimit komunal janë prezent në terren dhe mund të  evidentojnë gjendjen reale dhe të bëjnë krahasimin real të raporteve të nënshkruara për pranim teknik të kompanive mbikëqyrëse në përputhje me atë që është parashikuar në projekt dhe çfarë është ndërtuar në terren? 

Për këtë flet zëdhënësi i komunës së Çairit, Fari Iseni.

“Asnjë investitor nuk mund të sigurojë legalizim të objektit kolektiv në rast se nuk i merr këto masa parasysh, pra në rast se nuk ka parking të mjaftueshëm me numrin e banesave, të cilat janë të parashikuar te objekti nuk mund ai objekt te legalizohet nga ana e komunës së Çairit, pavarësisht çfarë raporti mund të mbërrijë nga agjensionet private, të cilat e bëjnë mbikëqyrjen e punimeve se sa përshtatet projekti i atij investimit me gjendjen reale. Për hir të korrektësisë, nuk do të jap numër për arsye se mund të gaboj, mirëpo ndodh në vazhdimësi të ketë ndalesa pune ose të ndikohen investitorët prej reagimeve që bëhen nga sektori i urbanizmit, për shkak se nuk mund të legalizohet një objekt në qoftë se nuk merren parasysh këto elemente.” – deklaroi Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Fari Iseni.

Mungesa e parkingjeve, kompetentët: Zgjidhje afatgjate, ndryshime liggjore dhe PDU i ri

Për të mënjanuar këtë problematikë në thelb, Vellkovski dhe Iseni thonë se është e nevojshme që të bëhen ndryshime dhe plotësime të Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Qytetit të Shkupit, ku çdo objekt i ardhshëm kolektiv që do të ndërtohet do të jetë i shtrirë në disa parcela të ndërtimit dhe objekti nuk do duhet të tejkalojë më shumë se 1/3 e parcelës dhe kontrollet e pranimit teknik të kthehen në duart e komisioneve komunale të përbëra nga disa inspektorë.

Nga Qyteti i Shkupit lënë hapësirë që në Planin e ri të përgjithshëm të përfshihen këto risi.

“Plani i Përgjithshëm Urbanistik aktual është me periudhë planifikuese 2012-2022 dhe ai nuk mund të ndryshohet apo të plotësohet. Aktualisht është në përpunim e sipër Plani i ri i Përgjithshëm i Qytetit të Shkupit me periudhë planifikuese dhjetëvjeçare. Në të Qyteti i Shkupit mund të sigurojë kushte më të mira për planifikim dhe zhvillim të planeve detale urbanistike të përgatitura në mënyrë më të  detajuar nga komunat, të cilat do të obligojnë realizimin e hapësirave publike dhe hapësirave të gjelbra.” – thonë nga Qyteti i Shkupit.  

Në përputhje te ligjit aktual për ndërtim vetëm objektet e kategorisë A në pronësi të shtetit po mbikëqyren nga komisioni i veçantë pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe bëhen kontrolle të rrepta nëse objektet e ndërtuara janë ndërtuar në përputhje me planin për ndërtim.  (Rexhep Qamili, TVM2)