22 vjetori i nënshkrimit të MO-së, Ahmeti: MO avancoi statusin e shqiptarëve

13.08.2023 13:01

Më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrimi Marrëveshja Kornizë e Ohrit....

Më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrimi Marrëveshja Kornizë e Ohrit e cila i dha fund konfliktit të armatosur mes UÇK-së dhe forcave maqedonase. Kjo marrëveshje u arrit me ndërmejtësim të bashkësisë ndërkombëtare ndërsa u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ai i PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.

Lideri i BDI-së i cili aso kohe ishte në rolin e përfaqësuesit politik të UÇK-së, 22 vite pas vlerëson se me marrëveshjen e Ohrit u avansua statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni.

“Pas luftës së UÇK-së dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001, po i tejkalojmë dhe barierat e fundit drejt barazisë së shumë kërkuar dhe të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar bashkë me tri universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare. Sot shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret por dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit, duke demostruar kapacitete shtet drejtuese.” – deklaroi Kryetari i  BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti: Apel për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Ahmeti njëherit thekson se sot vendi është pjesë e Aleancës Euro-amerikane, po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe me rajonin, ku po unifikojmë kufijtë.

Poashtu kemi hapur negociata për anëtarësim me BE-në dhe po përfundojmë skriningun, thekson Ahmeti duke apeluar për miratimin e ndryhsimeve kushtetuese.                    

“Për të rrumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimin duhet të ndërmarim edhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese. Vendimet e mëdha kërkojnë guxim dhe jo kalkulim, kërkojnë vizion e jo shkurtpamësi, kërkojnë prirje e jo strukim, nuk guxojmë të humbasim shansin e të shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend dhe rend europian” – u shpreh Ahmeti.

Sot, padyshim se jemi më mirë se dje por punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, thekson Ahmeti i cili sërish bëri thirrje për bashkim e unifikim rreth Frontit Europian duke e vlerësuar si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për të siguruar të ardhmen. 

Në këtë përvjetorë të Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti tha se me nderimet më të larta kujton edhe të gjithë Dëshmorët dhe invalidët, veteranët e martirët, si  dhe familjet e tyre. (Gyltene Sinani, TVM2)