Pensionet nuk mjaftojnë as për ilaçe, pensionistët, kërkojnë rritjen e pensioneve
Pensionet nuk mjaftojnë deri në fund të muajit....

Pensionet nuk mjaftojnë deri në fund të muajit, aq më pak për të përmbushur nevojat thelbësore jetësore, thonë pensionistët. Kontributi ynë mbi katër dekata punë, nuk na shpërblehet në fund të jetës, shprehen të revoltuar pensionistët dhe kërkojnë rritjen e pensioneve si në shtetet e Evropës.
“Kush është ai që nuk dëshiron pensione më të larta, kjo gjë na takon. Evropa t’i jep 700 euro plus edhe pse je në pension. Me 100 euro pension nuk shkohet në Evropë. Ne dojmë me na i hyp pensionet, në daçim me hy në Evropë, pa rrit pensionet nuk shkohet atje. Me 100 euro as në banjo nuk mund të shkojsh, sepse edhe aty të kërkojnë çdo ditë nga 10 den”.
“Kërkojmë me i rrit pensionet, ma mirë është për ne”.
“Pensioni nuk mjafton, por s’kemi çka të bëjmë, kërkesa kemi, por nuk na plotësohen, duam të na hipin pensionet. Kërkojmë rritje lineare, jo siç e kanë bërë 6% , por secilit t’i rritet 3500 den. Dikush që e ka pensionin 50.000 denar do të marr me 6 % më shumë, ndërsa ne që i kemi pensionet e vogla nuk e ndjejmë fare rritjen”.
“Pensioni ndonjëherë marrin deri në fund të muajit, ndonjëhër jo, kemi edhe fatura për të paguar dhe gjëra të tjera dhe nuk na del”.
“Duhet t’i rrisin deri në 20.000 denarë që t’i përmbushim kërkesat e shtetit me i pagu faturat. Nuk del, për dy javë harxhohet” –thanë disa nga pensionistët e intervistuar nga TVM2.
Ditë më parë pensionistët nga Shkupi kanë protestuar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke iu bashkuar pensionistëve të qyteteve tjera që tashmë disa ditë shprehin revoltën e tyre duke kërkuar rritje të pensionit minimal, respektivisht kërkojnë rritje të pensionit për 3. 500 denarë dhe jo rritje për 6 për qind, ashtu siç ka paralajmëruar Qeveria.
Ata paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe ditëve ne vijim, në fillimin e javës pasuese, deri në përmbushjen e kërkesës së tyre. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
