22 vite nga Marrëveshja e Ohrit, Ramadani: MO ka fuqizuar pozitën e shqiptarëve
Edhe pse ka pasur ngecje në zbatim, Marrëveshja e Ohrit....

Edhe pse ka pasur ngecje në zbatim, Marrëveshja e Ohrit ka fuqizuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani.
Sipas tij është për t’u përshëndetur pozicionimi i shqiptarëve në vendim-marrje dhe roli kryesor në rrugëtimin euro-atlantik të vendit.
“Duhet të thuhet pa hile se ka dhënë një fuqizim të shqiptarëve në aspektin politik dhe në sferat tjera. Ajo që është me rëndësi, Marrëveshja e Ohrit është bërë një sinonim, pra se si është arritur paqa dhe se si është zhvilluar kjo shoqëri multietnike këtu në Maqedoni. Sot shqiptarët udhëheqin institucione shumë të rëndësishme, duke u nisur nga Ministria e Punëve të Jashtme, e Financave dhe të tjerat të cilat kanë peshën e tyre. Ndoshta duhet pak më shumë të punohet në aspektin e ngritjes ekonomike të shqiptarëve” – tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Tahiri: Shqiptarët vazhdojnë të jenë në rend të dytë
Nga ana tjetër analisti politik, Sefer Tahiri tha se edhe përkundër rezultateve të kënaqshme që ka dhënë kjo marrëveshje, ende nuk është arritur ndryshimi faktik i statusit të shqiptarëve në vendin tonë, për shkak se siç thotë ai ende shqiptarët vazhdojnë të jenë në rend të dytë në aspektin legjislativ dhe kushtetues, pas popullit maqedonas.
“Ka arritur rezultat sa i përket përfaqësimit statistikor apo përfaqësimit sasior të shqiptarëve në administratën publike dhe institucionet e shtetit edhe atë në mënyrë përkatëse, megjithatë nuk mund të themi se ky përfaqësim është cilësor. Janë problemet e avancimit të kuadrove përkatëse në institucione të ndryshme. Në anën tjetër mund të themi që kjo marrëveshje në aspektin normative-juridik ka arritur ta avancojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, megjithatë problemet ekzistojnë sa i përket zbatimit konkret nga institucionet e ndryshme” – deklaroi analisti politik, Sefer Tahiri.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua 22 vite më parë me çka dhe i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, mes UÇK-së dhe forcave maqedonase të sigurisë.
Kjo marrëveshje synonte raporte të mira shoqëroro-politike, ndërprerje të armiqësive, zhvillim të pushtetit të decentralizuar, mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, për arsimimin dhe përdorimin e gjuhëve, shprehjen e identitetit, përdorimin e simboleve të bashkësive në zonat ku ata përbëjnë shumicën e të tjera. (Armend Murseli, TVM2)
