Mogerini: Maqedonia veç është e destabilizuar
Brukseli nuk heq dorë nga Ballkani, posaçërisht nga Maqedonia, edhe pse konsideron se vendi veç më është destabilizuar...

Komisionerja evropiane, Federika Mogerini, dhe komisionari për zgjerim, Johanes Han, treguan gatishmërinë e institucioneve të BE-së për të ndihmuar Maqedoninë, por njëkohësisht kërkuan nga partitë politike vendase që të respektojnë shtetin ligjor dhe të promovojnë vlerat evropiane.
“Sa i përket çështjes së destabilizimit, kam frikë se tani më nuk pyetet nëse do të ketë destabilizim... Maqedonia është në agjendë ashtu siç është në agjendë gjithmonë nevoja për mbështetje dhe ndihmë ndaj shteteve që janë kyçe për rajonin tonë. Kur flasim për fqinjësinë, Ballkani nuk është as fqinjësi, por është Evropë. Në këtë situatë të caktuar në veçanti është e nevojshme. Unë lexova rekomandimet e Parlamentit Evropian dhe ndjek debatin dhe jam e gatshme që të ndjek atë së bashku me komisionarin Han, me të cilin puna jonë në Ballkan është e koordinuar dhe do të mbetet në agjendë”- deklaroi komisionerja e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini.
“Mendoj se të dyja partitë duhet të lëvizin. Duhet të respektojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe duhet të sigurojnë standarde të ngjashme apo të njëjta politike sa i përket punës së parlamentit, ashtu si në vendet e tjera. Prandaj, anëtarët eminentë të Parlamentit Evropian kanë ofruar gatishmërinë për të arbitruar në mes të partive të ndryshme në shtet. Ata kanë pranuar këtë mbështetje dhe do të shohim se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, por në mënyrë që të ruhet perspektiva evropiane është me rëndësi të zgjidhen problemet në shtet dhe të kthehen në standardet adekuate evropiane dhe ndërkombëtare”- tha komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Han.
Han, tha se do të mbetet në kontakt të vazhdueshëm me liderët politik në Maqedoni për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
