Maqedoni
Ethet hemoragjike, rasti i 3-të i inefktuar, një peshkatar nga Velesi
14.08.2023 16:02
Një 42-vjeçar nga Velesi është rasti i tretë i infektuar me ethet hemorragjike Kongo-Krime....

Një 42-vjeçar nga Velesi është rasti i tretë i infektuar me ethet hemorragjike Kongo-Krime. Supozohet se i njejti është pickuar nga një rriqër gjatë peshkimit. Pesë ditë para se të kërkonte ndihmë mjekësore në spitalin e Velesit, ai kishte temperaturë të lartë, kokëdhimbje, dhimbje në muskuj dhe nyje. Gjendja e tij shëndetësore aktualisht është stabile, thuhet në Klinikën Infektive ku tashmë ndodhet i shtruar në spital.
“Analizat laboratorike kanë treguar rënie të trombociteve gjatë ditës së djeshme, por ato posedojnë zëvendësim adekuat. Ne e trajtojmë këtë gjendje në konsultim me kolegët e transfuzionit. Analizat e sotme janë në rregull, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi zhvillim të sëmundjes, shpresojmë që ecuria e saj të jetë e favorshme, siç ishte me pacienten e mëparshme.”, tha Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Infektive.
Një ekip veterinerësh po heton në terren nëse ka një vatër rriqrash të infektuar me ethet Kongo-Krime. Ata po kërkojnë arsyet pse sëmundja u rishfaq pas shumë vitesh. Mjekët apelojnë për vigjilencë më të madhe gjatë shëtitjeve në natyrë.
“Flas në veçanti për peshkatarët që duhet të mbajnë çizme, veshje me ngjyra të lehta ku mund të vërhet më lehtë riqra, gjuetarët ata që kalojnë nëpër pyje të vishen me çizme. Punonjësit shëndetësor asesi të mos harrojnë protokollin për mbrojtje nga sëmundjet infektive dhe për të gjitha masat eventuale do të informojmë në kohë të duhur.”, tha Stevanoviq.
Deri më tani një grua 27-vjeçare nga Shtipi vdiq nga ethet hemorragjike Kongo-Krime muajin e kaluar, disa orë pasi u diagnostikua. Prej saj është infektuar një infermiere në Klinikën Infektive, por gjendja e saj është stabile. Sëmundja transmetohet nga pickimi i rriqrës së infektuar, por edhe nga kontakti i drejtpërdrejtë me gjakun e kontaminuar. Sëmundja është fatale në 40 për qind të rasteve dhe ka një progres të shpejtë.
FLUTURA LATIFI
