Botë

Rama për protestën ndaj Belerit: Pjesëmarrja e 4 kryebashkiakëve grek ndez nacionalizmin

15.08.2023 13:37

“Bindju Ligjit”. Me këto fjalë nis reagimi i kryeministrit Edi Rama në facebook....

“Bindju Ligjit”. Me këto fjalë nis reagimi i kryeministrit Edi Rama në facebook, 12 orë pas protesës së organizuar në Himarë kundër procesit gjyqësor të SPAK për Fredi Belerin me akuzën e blerjes së votave. Kreu i qeverisë thekson se kjo protestë u organizua nga politikanë grekë, dhe paralajmëron se politizimi i kësaj çështjeje do të sillte për pasojë nacionalizëm.
 
“Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike.”, kryeministri i Shqiprisë, Edi Rama.
 
Teksa shpreh vlerësim për homologun e tij Kyriakos Mitsotakis, Rama shpreh keqardhje mbi situatën e krijuar dhe kërkon ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
 
“Sepse ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare.”, tha Rama.
 
Reagimi i kryeministri vjen pas pjesëmarrjes në tubimin e djeshëm në Himarë të kryebashkiakëve të Athinës, Selanikut, Igumenicës dhe Korfuzit, të cilët iu bashkuan thirrjeve për lirimin e Fredi Belerit i zgjedhur më 14 maj në krye të Bashkisë së Himarës, por i burgosur për blerje votash.
 
LULJETA NDOKA