Maqedoni

Hasani: instituti të ketë qasje në arkivin bullgar

05.03.2015 14:50

Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Ambasadën e Bullgarisë në vend ka nisur iniciativën për institucionalizim të bashkëpunimit me institutet shkencore bullgare...

Drejtori i institutit, Skender Asani, priti sot ambasadorin bullgar në vend, Ivan Petkovin. 
 
Nga ai kërkoi që t’i mundësojë institutit të ketë qasje në arkivin bullgar, i cili është shumë i pasur me fakte historike për të kaluarën e shqiptarëve në këto treva.
 
“Më i domosdoshëm është hulumtimi i fondeve arkivore të cilat gjinden në arkivin e Sofjes dhe kanë të bëjnë për shumë ngjarje dhe rrethana në Maqedoni dhe në trevat tjera etnike shqiptare dhe unë, si hulumtues i cili kam hulumtuar shumë dokumentacione nga arkivi bullgar por edhe nga shtypi bullgar, kam shumë informacione për të shtjelluar shumë ngjarje të cilat janë zhvilluar në trevat etnike shqiptare”- deklaroi drejtori i ITKSH-së, Skender Hasani.
 
“Konsiderojmë se do të duhet që të institucionalizojmë bashkëpunimin, të krijojmë kontakte të drejtpërdrejta midis Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve dhe instituteve përkatëse shkencore në Sofje. Fusha e veprimit mund të jetë shumë e gjerë, këtu kemi historinë, etnografinë dhe sfera të tjera interesante ku mund të punohet dhe veprohet bashkërisht”- tha ambasadori i Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Petkov.
 
Sipas Hasanit, në arkivin bullgar do të mund të gjurmohej mbi periudhat e shekullit XIX dhe XX, kur edhe rilindasit shqiptarë kanë pasur bashkëpunim të përafërt me Bullgarinë.
 
Këtij aktiviteti së shpejti pritet t’i paraprijë nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim midis instituteve të të dyja vendeve.
 
MERAL ISMAILI