Masat e BE-së për Kosovën, Osmani: Partnerët të respektojnë marrëveshjen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që partnerët e BE-së të bëjnë tërheqjen e masave, të cilat ajo i konsideron të padrejta, pasi institucionet janë duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bratislavë për deeskalim të situatës në veri.
“Kosova është duke e respektuar me besnikëri atë marrëveshje. Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen, e që kërkon konsultim edhe me EULEX-in edhe me misionin e NATO-s këtu. Është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna veriore. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Bratislavës. Tani presim që hapat t’i marrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian sepse masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, ka theksuar presidentja Osmani. Sipas saj, shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën sikurse ta kishte pushtuar dike edhepse ajo ka vepruar në territorin e saj.
Osmani tha se Kosova ka nevojë për përkrahjen e partnerëve në mënyrë që çdo veprim i policisë dhe institucioneve ta ketë përkrahjen e nevojshme edhe nga aspekti i sigurisë, por theksoi se pavarësisht asaj që ka ndodhur më 26 maj, vlerëson se përgjigjja e BE-së ka qenë komplet disproporcionale me veprimet e institucioneve të Kosovës.
