Maqedoni
Rruga Tetovë-Prizren, Ahmeti: Qarkullimi mundëson ekonomi të zhvilluar
16.08.2023 12:55
Rruga Tetovë-Prizren ishte tema e diskutimit në takimin mes kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti...

Rruga Tetovë-Prizren ishte tema e diskutimit në takimin mes kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me ministrin e transportit të Kosovës Liburn Aliu. Ky projekt sipas tyre përveç që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve prej të dyja vendet, do të gjenerojë përfitime të mëdha edhe në ekonominë e të dyja vendeve.
“Rrugët lehtësojnë qarkullimin. Qarkullimi mundëson ekonomi më të zhvilluar, më të përparuar dhe besoj që ekipet ndërqeveritare merren seriozisht dhe aktivisht me këtë çështje që projektimi të mbyllet sa më shpejt dhe fillimi të ndodh në kohë sa më të afërt.”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Aliu: Do të zhvillojë turizmin e të dyja vendeve
“Ky projekt përveç që lidhë Prizrenin me Tetovën, e lidh edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në pjesën e Kosovës me pjesën e pparkut nacional në pjesën e Maqedonisë së Veriut. Të dyja këto zona kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mundësi të zhvillimit ekonomik përmes turizmit si veror poashtu edhe dimëror dhe kjo rrugë do të krijojë një mundësi të menaxhimit të përbashkët të parkut nacional dhe poashtu të menaxhimit të zhvillimit të turizmit për të dyja vendet e që do të mund të krijonte mundësi të reja edhe për vende të punës, por në veçanti edhe për zhvillim ekonomik.”, tha ministri i transportit të Kosovës, Liburn Aliu.
Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami ka uruar që qëllimi i BDI-së të jetë i sinqertë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.
“Uroj për vizitën, edhe pse mundohen përmes dënimeve të cilat i bëjnë ndaj komunës së Tetovës dhe Çairit dhe kryetarëve të këtyre dy komunave për një organizim fantastik, për një organizim si rezultat i të cilit sot vet z.Ahmeti takohet me ministrin e transportit të Kosovës. Urojmë që qëllimi të jetë i sinqertë për të kontribuar në realizimin sa më të shpejtë të kësaj rruge, edhe pse dyshoj që BDI e ka në prioritetet e saj dhe ka kapacitet që këtë rrugë ta shtyjë përpara.”, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Siç njoftuan komptetentët rruga Tetovë-Prizren e ka tashmë studimin e fizibilitetit dhe është në faze të marrëveshjes financiare për të realizuar projektin edhe për tuneline përbashkët dhe pastaj do të kalohet në fazën e realizimit të plotë të projektit. Këtë projekt e paralajmëroi edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shkup dhe Tetovë, javën e kaluar.
ERSAN PAJAZITI
