Kovaçevski: Për spitalin modular, organet gjyqësore e kanë dokumentacionin

17.08.2023 14:13

Kryeministri Dimitar Kovaçevski...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se janë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe të gjitha të dhënat që duhet të ju dorëzohen organeve të drejtësisë për rastin e spitalit modular në Tetovë, ku nga zjarri humbën jetën 14 persona.

Ai njëherit theksoi se ekspertizat nuk janë në kompetencë të qeverisë, prandaj kryeministri tha se qeveria ka qëndrim objektiv për çfarëdo rasti dhe organet kompetente janë të lira të vendosin.

“Një pjesë e dokumenteve që kanë të bëjnë me procedurë, e realizuar në atë kohë janë në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Të gjitha ato dokumente janë vendosur te organet hetuese gjyqësore. Eksziston pjesë tjetër e dokumentacionit që është kërkuar kryesisht nga prokuroria që ka të bëjë edhe me ekspertizën që po e përmendni. Ajo ekspertizë nuk është në sferën e qeverisë, unë nuk e kam parë” – tha Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski. 

Kryeministri njëherit theksoi se kompetencat lidhur me veprimet e Prokurorisë dhe Këshillit të Prokurorëve janë në kuadër të Kuvendit dhe institucioni ligjvënës mund t’i shtrojë pyetje çdo prokurori, veçanërisht kryeprokurorit, dhe ai duhet të jetë absolutisht i disponueshëm në lidhje me çdo rast.

Kovaçevski gjithashtu theksoi se borxhi i Qeverisë ndaj kompanisë “Brako”, për ndërtimin e spitaleve modulare në vend, duhet të paguhet vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat hetimore. (Fitore Demolli, TVM2)