Seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, LSDM: Do të dëshmojë kush përkrahë integrimin
Qëndrimet e betonuara të partive politike...

Qëndrimet e betonuara të partive politike sa u përket ndryshimeve kushtetuese kanë vijuar të pathyeshme një ditë para seancës parlamentare.
Sipas LSDM-së seanca e nesërme do të konfirmoj se kush është për apo kundër ardhmërisë europiane të vendit dhe secili deputet varsisht qëndrimit ka përgjegjësi para ardhmërisë së shtetit dhe interesave të qytetarëve.
Socialdemokratët ftuan deputetët e VMRO-DPMNE-së që të reflektojnë, ndërkaq dolën me vlerësim negativ sa i takon heqjes së 20% në pako me përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.
“Seanca është mundësia e fundit për DPMNE-në që të dëshmojë se a kanë zgjedhur integrim në BE ose izolim të ulur pranë Së Majtës. nëse kanë zgjedhur Të Majtën dhe bllokun antieuropian DPMNE haptazi rreshtohet kundër Maqedonisë, kundër interesave madhore shtetërore dhe kombëtare, anëtarësimit në BE. Për të gjitha kërkesat tjera që kanë partitë opozitare, ne shum herë e kemi thënë se ia vlen të diskutohet, por në këtë moment fokusi kryesor janë ndryshimet kushtetuese në bazë të të cilave do të vazhdojnë bisedimet në BE.” – tha Darko Kaevski nga LSDM.
VMRO: Do të kundërshtojmë diktatin bullgar
Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së nesër do të ripërsërisë qëndrimin e thënë edhe në komisionin për ndryshime kushtetuese se s’do pranojnë ndryshim të kushtetutës nën dirigjim bullgar.
“LSDM dhe BDI s’do mund gjatë kohë të manipulojnë opinionin, gënjeshtrat e tyre, këtë javë do të shpërthejnë si fluska sapuni, kur do të shoh se pushteti nuk ka deputetë për ndryshimet kushtetuese. LSDM dhe BDI janë të vetëdijshëm se po fundosen dhe nuk kanë rrugdalje, por që për një ditë më shum pushteti vazhdojnë të gënjejnë dhe manipulojnë opinionin, ndërkohë që kompanitë e afërta me ata po bëjnë miliona”, thonë nga VMRO – DPMNE.
Përpos 44 deputetëve të VMRO – DPMNE – së dhe koalicionit, kundër përfshirjes së bullgarëve në kushtetutë janë edhe dy deputetë të Së Majtës.
LD: S’ka ndryshim, pa reciprocitet me Bullgarinë
Ndërkohë Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov kërkon që nesër deputetët të votojnë për shpërbërjen e kuvendit dhe në afat prej 60 ditëve të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nuk ka konsensus qytetar dhe politik për ndryshimin e Kushtetutës. Pa reciprocitet për njohjen e të drejtave të maqedonasve në Bullgari, si dhe pa mbështetje për kornizën e negociatave, nga e cila do të hiqen çështjet dypalëshe të imponuara nga Bullgaria, s’do ketë ndryshim të Kushtetutës”, thonë nga Lidhja Demokratike.
Sipas Lidhjes Demokratike, Maqedonia duhet të siguroj unitet dhe marrë parasysh kërkesat e qytetarëve duke mbrojtur fuqishëm interesat shtetërore. (Meral Ismaili, TVM2)
