Me urdhër të SPAK arrestohen ish zyrtarë dhe biznesmen
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan...

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro.
Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurie edhe ndaj gjashtë personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.
Gjyqtari Erion Bani caktoi “arrest shtëpie” për Saimir Kadiun, drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë.
Mjeku Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është lënë nga gjykata në masën detyrim paraqitjeje.
E njëjta masë është vendosur edhe për 3 anëtarë të tjerë të komisionit që kanë firmosur për tenderin.
Akuzat nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për zyrtarët, dhe mashtrim për biznesmenin Rrapaj.
Pronari i kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK.
Materialet për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj janë veçuar në një çështje tjetër, ndërsa brenda gushtit pritet të mbyllen hetimet edhe për Koncesionin e Check-Up-it.
Pronari i kompanisë me seli në Prishtinë Ilir Rrapaj në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
