Maqedoni

Përgjimi, LSDM zgjeron padinë kundër përgjuesve të jashtëligjshëm

05.03.2015 16:08

LSDM-ja ka zgjeruar padinë kundër zyrtarëve të dyshuar se kanë përgjuar kundërshtarë politik nga radhët e opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM...

Zyrtarë të lartë të opozitës, të kryesuar nga ish-kandidati presidencial, Stevo Pendarovski, dorëzuan në Prokurorinë Publike dëshmi të reja se edhe ata janë përgjuar në formë të jashtëligjshme.
 
Padisë i janë shtuar dëshmi për përgjimin e kandidatit për president në zgjedhjet e fundit presidenciale nga radhët e opozitës, Stevo Pendarovski, dëshmi për përgjimin e zëvendëskryetares së LSDM-së, Radmilla Shekerinska, sekretarit të përgjithshëm, Oliver Spasovsi, kreut të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, si dhe dëshmi për përgjimin e kreut të Partisë së re Socialdemokrate, Tito Petkovski. 
 
“Tani dorëzuam zgjerim edhe për pesë persona, ne që jemi këtu, për veprën penale përgjim i paautorizuar dhe incizim me zë. Bëhet fjalë për përgjim njerëzish pa urdhëresë vetëm për shkak të aktiviteteve politike. Dëshmitë që kemi dhe që i parashtruam me padinë me përgjimet dhe bisedat e incizuar me zë kanë të bëjnë me një periudhë kohore prej katër vjet”- deklaroi Stevo Pendarovski nga LSDM.
 
Pendarovski, shprehu shqetësimin që prokuroria nuk ka ndërmarrë asgjë rreth padisë fillestare për përgjimin e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse padi është dorëzuar para 10 ditësh.
 
Për heshtjen e deritanishme ai akuzoi kreun e prokurorisë, por njëkohësisht inkurajoi prokurorët e tjerë që të mos u nënshtrohen presioneve politike dhe të procedojnë rastet.
 
“Sinqerisht, shpresojmë se zgjerimi i padisë penale nuk do të ketë fatin e padisë penale fillestare për të cilën deri tani nuk kemi asnjë lajm se çfarë po ndodhë dhe përse prokuroi publike deri tani nuk vepron për atë që u dorëzua para rreth dhjetë ditësh”- tha Pendarovski.
 
Edhe pse LSDM-ja publikisht ka shprehur dyshime në pavarësinë e sistemit gjyqësor me parashtrimin e padive kundër kreut të DSK-së, Sasho Mijallkov, shefit të Drejtorisë së pestë, Goran Gruevski dhe N.N. të punësuar në DSK, partia e Zaevit dëshiron që të lë gjurmë për procedim institucional të kësaj afere.
 
Nga LSDM-ja thonë se imazhin e sistemit gjyqësor e kanë dëmtuar individë, ndërkaq brenda institucioneve punojnë  njerëz të ndershëm, që janë nën shtypje të vazhdueshme.
 
SHPËTIM NUREDINI