Variant i ri i “Covid-19”, OBSH: Brenda një muaji 1.4 mil raste me kovid
Organizata Botërore e Shëndetësisë....

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse ndikimi i tij potencial nuk dihet.
OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë. Deri më tani, varianti i ri “BA.2.86”, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shkencëtarët u kanë bërë thirrje njerëzve që të mbajnë përsëri maska. Ata shprehën shqetësimin për një nënvariant të Omicron, “Eris”, i cili tani përbën një në 10 raste në Mbretërinë e Bashkuar.
Trisha Grinhalg, një eksperte e kujdesit parësor shëndetësor në Universitetin e Oksfordit, u bëri thirrje njerëzve që të mbajnë maska përsëri.
Nga Kolegji Universitar i Londrës gjithashtu thonë se varianti i ri ka potencialin të shkaktoj “një valë të madhe”.
Mirëpo, shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.
“Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje”, sipas një deklarate të OBSH-së.
Kjo shifër e infektimeve përbën rritje prej 63 për qind, në krahasim me periudhën paraprake 28-ditore, përderisa shifra e viktimave është 56 për qind më e vogël. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
