Eurodeputeti bullgar: Maqedonia nuk do të ketë propozim më të mirë

18.08.2023 14:17

Maqedonia e Veriut është fqinji ynë....

Maqedonia e Veriut është fqinji ynë dhe, interesi strategjik i Bullgarisë duhet të jetë që i gjithë Ballkani të jetë në NATO dhe BE, tha eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë nga Parlamenti Evropian, Ilhan Kjuçuk, në një intervistë për radion shtetërore bullgare, në prag të debatit për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë.

Ai theksoi se BE-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj dhe siguroi se askush nuk vendos kushte shtesë.

 “Nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e BE-së. Nuk ka dëshirë, as Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së nuk do të merren me ndryshimin e rregullave pak muaj para zgjedhjeve evropiane. Rregullat janë të tilla, janë dakord dhe të gjithë duhet t'i respektojnë. Së dyti, nuk do të ketë propozim më të mirë, sepse ky është më i miri. Askush nuk vendos kushte shtesë. Dhe, ky nuk është ndonjë diktat bullgar, por rregulla evropiane që Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë”-theksoi Kjuçuk.

Eurodeputeti bullgar: Askush nuk do të vendosë kushte të tjera

Sipas tij, zgjedhja është ekskluzivisht e Maqedonisë dhe nëse VMRO-DPMNE nuk dëshiron të jetë në anën e evropianizimit të Maqedonisë, përgjegjësia është e partisë. Ai tha, për fat të keq, kjo do ta ndalojë rrugën e vendit drejt BE-së dhe për një kohë të gjatë.

Kjuçuk, shton gjithashtu se është mjaft realiste që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia dhe arsyet e dështimit duhet të kërkohen vetëm në Shkup.

“Duhet të ketë një sinjal të qartë politik, pra përpjekje të përbashkëta nga të gjithë. Debati mund dhe duhet të jetë i vështirë kur flitet për çështje të brendshme politike, por për shtyllat e integrimit, NATO dhe BE, pra për zgjedhjen civilizuese të shtetit, duhet të ketë një qëndrim të vetëm - ndjekja e prioriteteve strategjike. Ky është edhe shembulli bullgar”, tha Kjuçuk.

Në të njëjtën kohë, ai kujton se kushtet nuk janë bullgare, por evropiane dhe se Sofja dhe Shkupi janë pajtuar. Në lidhje me çështjet historike ai thotë se politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në histori, pasi historia duhet t’u lihet historianve, ndërsa politikanët duhet të shikojnë nga e ardhmja. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)