NP “Pastrimi dhe gjelbërimi”, Kumanovë: Aksion për pastrimin e deponive të egra

18.08.2023 14:41

Ndërmarrja komunale e Kumanovës....

Ndërmarrja komunale e Kumanovës ditëve të fundit ka ndërmarrë aksion për pastrimin e deponive të egra. Ekipet e ndërmarrjes “Pastrimi dhe Gjebërimi” bëjnë të ditur se këtyre ditëve kanë intervenuar për pastrimin e 30 deponive të egra në pjesë të ndryshme të Kumanovës.

“Hedhin gjithçka që kanë në një vend. Ne paguajm çdoherë rreth 800 denarë për mbeturinat, por  këtu i hedhin.”

“I hedhin mbeturinat janë të pakujdesshëm”.

Edhe pse apelet kanë qenë të shumta për mos hedhjen e mbeturinave atje ku nuk e kanë vendin, ato nuk kanë dhënë rezultate dhe qytetarët kanë vazhduar të krijojnë deponi të egra.

Problemi më i madh është deponia në hyrje të lagjes “Pero Çiço”, në afërsi të së cilës ndodhet edhe hekurudha. Në afërsi të kësaj deponie janë vendosur edhe kosha për mbeturina por ato janë dëmtuar disa herë.

Nga ndërmarrja “Pastrimi dhe gjelbërimi” thonë se deponitë e egra po i krijojnë qytetarët të cilët punojnë me moto-kultivatorë.

 “Qytetarët të cilët kryejnë transport me moto-kultivatorë kanë mundësi t’i hedhin mbeturinat në deponinë “Krasta” sipas çmimit të definuar që është i pranueshëm për hedhjen e mbeturinave. Por me siguri për shkak të shpenzimeve për të arritur deri te deponia, e cila ndodhet jashtë qytetit,  ata vendosin t’i hedhin mbeturinat në mënyrë jo të ligjshme”- thonë nga Ndërmarrja Publike “Pastrimi dhe gjebërimi” Kumanovë.

Çmimi për hedhjen e mbeturinave në deponi është 500 denarë aq sa mund të transportojë një moto-kultivator. (Gyltene Sinani, TVM2)