Ndryshimet kushtetuese në Kuvend, pezullohet votimi me ndërprerjen e seancës
Planifikimet e qeverisë për të ndryshuar kushtetutën....

Planifikimet e qeverisë për të ndryshuar kushtetutën mbetën pezull, në mungesë të konsenzusit ndërpartiak për të grumbulluar 80 vota.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi pas shterjes së fjalimeve ndërpreu seancën dhe për vazhdimin e së njëjtës do të njoftojë në mënyrë plotësuese.
Kryeministri Dimitar Kovaçaveski në fokus të fjalimit të tij kishte impaktin e ndryshimeve kushtetuese mbi të ardhmen e vendit.
Kryeministri në tentativë për të bindur deputetët tha se me pranimin e bullgarëve si popull konstituiv i shtetit nuk cënohet historiku i popullit maqedonas, ndërkaq si vend anëtarë benefitet financiare europiane do të jenë 11 fish më të larta.
“As që është e mundur të rrezikohet, zvogëlohet dhe relativizohet populli maqedonas. Kjo është e vërteta e vetme. A është e mundur që dikush të jetë maqedonas më i madh ose më i vogël, ose a është e logjikshme që dikush të mendoj se plotësimi me pjesë të popujve të tjerë do të jetë problem për popullin dhe shtetin maqedonas? Çdo njeri i mençur e din dhe shikon se propozimi konkret nuk do të ndikojë negativisht mbi atributet e shteformësisë maqedonase.” – tha Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kundër ndryshimeve kërkuan reciprocitet nga shteti bullgar në pranimin dhe inkorproimin e maqedonasve në Bullgari.
“Nuk jemi kundër BE-së, nuk jemi kundër Bullgarisë megjithatë neni 8 nga marrëveshja e Lisbonës fton në reciprocitet në marrëveshjet ndërkombëtare. Bullgaria është nënshkruese dhe ka ratifikuar konventën nacionale për mbrojtje e të drejtave të pakicave. Bullgaria ka këshill të pakicave, por në të nuk janë maqedonasit.” – u shpreh Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE. Deputetët e opozitës shqiptare në mbështetje të ndryshimeve shfaqën zhgënjimin për mospërfshirjen e kërkesës së tyre për heqjen e 20% -it.
“Mund të vijë që në të ardhmen e afërt të ndodhin kërkesa tjera, ku shqiptarët apo komunat shqiptare të nxitur nga një nacionalizëm i tillë, të kërkojnë një rrugëtim drejt BE-së, ndaras nga komunat maqedonase.” – u shpreh deputeti i pavarur, Skender Rexhepi.
“Ne zyrtarisht i’u drejtuam se si çështje e debatit duhet të jetë edhe çështja e zëvendësimit të 20%, pasi nuk morrëm asnjë përgjigje, logjika thotë se shumica parlamentare ndoshta edhe s’ka nevojë për votat tona, thjesht i kanë siguruar në ndonjë mënyrë tjetër, edhe ata shumë lehtë do t’i sigurojnë votat dhe do të gjejnë zgjidhje situatave.” - deklaroi Fadil Zendeli nga “Lëvizja Besa”.
“Shumica e këtij Kuvendi dhe Qeveria I sjellin ndryshimet kushtetuese në Kuvend, jo për shkak se besojnë dhe angazhohen për integrimin evropian por sepse atyre u duhet një fajtor që ato të mos kalojnë dhe kjo të jetë në dobi të tyre elektorale.Ta shohim cila është shumica e cila i mbështet ndryshimet kushteteuse, e nëse nuk ka shumicë që sot t’i shpallim zgjedhjet e reja.” – u shpreh Safije Sadiki Shaini nga Alternativa.
Për pushtetin ndryshimet kushteteuse janë biletë njëkahshme drejt Europës dhe mundësi e mirë për konsolidimin e brendshëm të shtetit në vend të izolimit të ri, shpërnguljeve dhe kërkesave për pasaportë bullgare.
“Progresi me integrimet europiane do të nënkuptojë një platformë tjetër mbi të cilët do të mund të mbrohemi edhe më mirë, veçanarisht vetë marrëveshja për bashkimin europian në nenin 3 të tij zotohet se bashkimi do të respektoj trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe diversitetion gjuhësor dhe se do të sigurojë që trashëgimia kulturore europiane përfshi edhe atë të maqedonsië të mbrohet dhe të promovohet.” – th Arbër Ademi nga BDI.
“Opozita maqedonase me ose pa vetëdije, në nja farë forme e çon ujin në mullirin e Bullgarisë. Qytetarët do të kërkojnë shpresën diku jashtë, do të ketë migrim jashtzakonisht të madh dhe automatikisht do të rritet numri I kërkesave për pasaporta bullgare.” – theksoi Halil Snopçe nga ASH.
“Është lehtë që vetëm në formë deklarative të thuash se je për BE dhe të bësh githçka që të mos bëhesh pjesë e BE-së. Është e lehtë, por nuk është e ndershme, që të vjedhësh të ardhmen për pikë politike dhe betejë për pushtet.” – u shpreh Jovan Mitreski nga LSDM.
Sipas pushtetit 3600 qytetarë të vendit deklarohen bullgar, dhe përkrahë tyre në kushtetutë do të përfshihen edhe copëza të popujve kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptas.
Seanca parashikohet të prmbyllet brenda 10 ditëve, por nuk përjashtohet mundësia të mbahet pezull një periudhë më të gjatë deri në përmbylle të mandatit të kësaj qeverie, të rast të mos arritjes së konsenzusit të nevojshëm. (Meral Ismaili, TVM2)
