Maqedoni

Kriza në Maqedoni, arbitrimi ndërkombëtar i pashmangshëm

05.03.2015 16:51

Bashkimi Evropian pritet që të angazhohet në zgjidhjen e problemit politik në Maqedoni, ka deklaruar ditë më parë komisioneri për zgjerim, Joahnes Han...

Nga Brukseli po dërgohen sinjale se së shpejti në Maqedoni pritet të vijë treshja evropiane në përbërje të Eduard Kukanit, Ricard Houit dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vjagëll.
 
Eurodeputetët  u kontaktuan sot nga TVM2 për konfirmimin e vizitës së tyre në Shkup. Ata në parim thonë se janë të gatshëm të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit politik me të cilin po ballafaqohet Maqedonia, por në këtë moment nuk mund të konkretizojnë strategjinë e tyre. Të gjitha opsionet për zgjidhjen e krizës shihen në inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar në këtë proces.
 
Fillimisht, BDI ka qenë e para që kërkon në procesin e dialogut politik të inkuadrohet asistenca e faktorit ndërkombëtar.
 
“Është i nevojshëm monitorimi dhe ekspertiza ndërkombëtare për situatën, me qëllim krijimin e kushteve për dialog politik, ku do të diskutoheshin të gjitha variantet për zgjidhjen e krizës, hapur dhe pa predikime”. 
 
Për kyçjen e faktorit ndërkombëtar në tejkalimin e krizës politike sinjale jep edhe opozita maqedonase. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se tejkalimi i krizës mund të kalohet me formimin e një qeverie kalimtare, e cila do të organizonte zgjedhje fer dhe demokratike.
 
Gjithnjë sipas Zaevit, Maqedonia ka kapacitet demokratik për të gjetur zgjidhjen e krizës, ndërsa faktori ndërkombëtar do të duhet të luaj rolin e arbitrit. Krahas Brukselit, edhe Bundestagu gjerman është i shqetësuar për situatën politike në Maqedoni, shqetësim ky që është shfaqur në seancën e veçantë kushtuar Maqedonisë në Bundestag.
 
Deputetët gjermanë thonë se Maqedonia nuk ka armiq që asaj t’i bëjnë komplot, siç pretendon kryeministri Gruevski.  
 
Bashkimi Evropian me mekanizmat e saj ka dhënë kontribut konkret në situatat e krizës si në vendet anëtare të BE-së po ashtu edhe në ato vende kandidate për anëtarësim në BE.
 
Ngërçi politik mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri u tejkalua me ndërhyrjen e komisarit Fyle. Kroacia dhe Sllovenia kaluan mosmarrëveshjet kufitare me ndërmjetësim të BE-së. Dialogu politik mes Beogradit dhe Prishtinës u mundësua gjithashtu me angazhimin e drejtpërdrejtë të BE-së. 
 
Njohësit e rrethanave në Maqedoni vlerësojnë se pa ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar vështirë se mund të tejkalohet kriza politike në Maqedoni. Sa më shpejt ata të inkuadrohen, aq më shpejtë vjen edhe deri tek përfundimi i krizës. 
 
BESA JASHARI