Vizita e Melonit në Shqipëri, jo vetëm turizëm, por edhe projekte të mëdha

18.08.2023 16:04

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni....

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, u largua drejt Italisë mbrëmjen e 17 gushtit pas 4 ditësh pushime me familjen në Vlorë. Sipas mediave të huaja, Meloni dhe Rama kanë diskutuar mbi investimet mes dy vendeve dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fund të qëndrimit në Vlorë, Rama e quajti homologen motër të Shqipërisë dhe veten vëllai i Italisë.

Në vizitën e saj në Vlorë, Meloni shoqërohej nga një rreth i ngushtë familjar, bashkëshorti, vajza dhe motra.

Për 4 ditë politikanja e lartë italiane, ose motra e Shqipërisë siç u quajt nga kreu i qeverisë shqiptare, pushoi në bregdetin e Vlorës, ndërsa privatësia siç ishte dakordësuar më herët, u ruajt në maksimum.

Mediat italiane aluduan se ky takim kishte shërbyer për diskutime mes dy liderëve për ekonominë, diplomacinë dhe një sërë fushash të tjera. Menaxhimi i rrjetit hekurudhor në Ballkan dhe projekti i linjës elektrike që do të lidhë Italinë me Shqipërinë, ishin temë bisede, siç zbulon Rama një ditë më vonë për “La Stampa-n” italiane.

Hipoteza e një darke të mundshme në vilën qeveritare me ish-kryeministrin Britanik, Tony Blair, u rrëzua gjithashtu nga Rama.

Në përfundim të vizitës së homologes italiane, kreu i qeverisë u kujdes të ruante traditën duke i ofruar një kafe mysafirëve në zonën historikë të Vlorës. Pas disa fotove më qytetarët, Meloni u shfaq e buzëqeshur në foton e publikuar në rrjet nga kreu i qeverisë Shqiptare, i cili shkruante: “Motra e Shqipërisë dhe vëllai i Italisë. Faleminderit Giorgia, ishte një nder"

Meloni e la Shqipërinë vonë, në mbrëmjen e 17 gushtit, duke lënë pas mijëra turistë italianë, që sipas autoriteteve Shqiptare kapin shifrën e 500 mijë vizitorëve gjatë këtij sezoni turistik. (Luljeta Ndoka, TVM2)