“Vrasje në Tetovë”, akuza në mes Prokurorisë dhe gazetarëve

18.08.2023 15:44

Akuza dhe demante mes Prokurorisë Publike...

Akuza dhe demante mes Prokurorisë Publike dhe autorëve të dokumentarit “Vrasje në Tetovë”, për sa i përket asaj se a është marrë parasysh ekspertiza e kryer nga ekspertët gjerman.

Prokuroria Publike falënderon gazetarët e IRL-së që ia kanë vënë në dispozicion publikut të gjerë audio-inçizimin që më së miri tregon se qëndrimi i tyre se prokuroria ka fshehur ekspertizën nga ekspertët gjermanë është i rremë. Regjistrimi, siç thonë nga Prokuroria, konfirmon pa mëdyshje se për prokurorinë, ekspertiza e kriminalistëve gjermanë ishte një provë e rëndësishme që prokurorët e propozuan dhe e prezantuan në procedurën para gjykatës.

“Mbrojtja gjatë seancës kryesore ka propozuar, përveç ekspertizës me shkrim, që të dëgjohet personalisht eksperti nga Gjermania i cili ka përgatitur raportin me shkrim – prova në procedurë. Sipas atij propozimi, prokurori publik vendosi kundër të pandehurve. Ekspertiza e ekspertëve gjermanë është përgatitur me kërkesë të Prokurorisë Publike, e cila e ka propozuar dhe e ka paraqitur si provë me shkrim. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët përmbyllëse të prokurorit publik, në të cilat ai e bazon rastin e tij në këtë ekspertizë në korrelacion me të gjitha provat e tjera të marra në procedurë.”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga Laboratori i Raporterëve Hulumtues kundërpërgjigjen duke thënë se Prokuroria në mënyrë të papërshtatshme dhe pa bazë po sulmon gazetarët, kurse pohimet e Prokurorisë i quajtën shpifje dhe gënjeshtra.

“Prokuroria nuk thekson se vetë prokurori kompetent ka kërkuar nga Gjykata që të mos thërrasë këta ekspertë, sepse për rastin konkret, sipas fjalëve të vetë prokurorit, kjo ekspertizë është e parëndësishme për këtë procedurë. Për këtë ka edhe një transkriptë dhe audio nga seanca ku janë regjistruar të gjitha seancat. Është e pahijshme dhe e pandershme që institucioni që duhet të tregojë përgjegjësi ndaj viktimave dhe të sigurojë drejtësi për qytetarët, të manipulojë faktet dhe të sulmojë pa bazë gazetarët.”, thonë nga Laboratori i Raporterëve Hulumtues.  

Nga IRL bëjnë thirrje që Prokuroria në vend që të sulmojë gazetarët që zbulojnë abuzime, duhet t'i përgjigjet publikut pse në rastin e parë nuk u referuan shkaqet e zjarrit dhe pse rasti i dytë është ende në hetim. (Ersan Pajaziti, TVM2)