Ndryshimi i shpeshtë i Kushtetutës, Maksuti: Lejohet, por akti duhet t'a ruajë ngurtësinë

18.08.2023 16:21

Deklarata e Pavarësisë së vendit....

Deklarata e Pavarësisë së vendit u miratua më 25 janar të vitit 1991 nga parlamenti i parë shumëpartiak. Një hap i rëndësishëm për shtetin ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991. Që nga ajo kohë, respektivisht për 32 vjet, akti më i lartë juridik ka pësuar tetë herë ndryshime dhe është plotësuar me 36 amandamente.

Për nga numri i amandamenteve, më tepër janë miratuar pas marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, kur kushtetuta u plotësua me 15 amandamente. Pasojnë 11 amandamentet e vitit 2005 për ndryshimet në sistemin gjyqësor, 4 amandamentet në vitin 2019 që u parapanë me marrëveshjen e Prespës dhe pesë hera tjera në vitin 1992, 1998, 2003, 2009, 2011 ku kushtetuta u ndryshua me 1 ose 2 amandamente. Ndërkohë në procedurë parlamentare për të nëntën herë ka hyrë propozimi qeveritar për ndryshim të kushtetutës, që kërkon futjen e bullgarëve dhe disa pakicave të tjera në preambulë.

Profesori i së drejtës kushtetuese Mersim Maksuti, thotë se ndryshimi i kushtetutës është proces dhe praktikë demokratike, por megjithatë sipas tij, nuk duhet të hapet shpesh dhe të  zhvishet nga parimi i ngurtësisë.

“Ndryshimi i kushtetutës por edhe i kushtetutave në tërësi në praktikën e shteteve parlamentare demokratike në botë, nuk është një fenomen që duhet të ndodhë shpesh, madje në teori dhe shkencë njihet: "rigjiditeti kushtetues" që do të thotë, në një vend me demokraci duhet t'a kemi ngurtësinë e kushtetutës.  Në një vend demkoratik, kushtetuta duhet të jetë e ngurtë, nuk duhet të ndryshohet, shpesh, lehtë, prandaj jo rastësisht procedura e ndryshimit të saj është bë me 2/3, që kërkon një konsensus më të gjërë politik brenda parlamentit.”- tha Profesori universitar, Mersim Maksuti.  

Ndërkohë, ndryshimet kushtetuese aktuale që gjenden në kuvend, Maksuti i quan të nevojshme dhe të patjetërsueshme për të ardhmen e vendit.

“Në anën tjetër nuk do të thotë se kushtetuta është dokument i shenjtë që nuk ndryshohet asnjëherë. Jo. Edhe këto ndryshime që i kemi sot  të kushtetutës janë si rezultat  i nevojës, i debllokimit në rastin  tonë të procesit të integrimit në rrugën drejt BE-së.” – shprehet Maksuti.  

Ndryshe, debati për ndryshimet kushtetuese ka filluar dhe  zgjatë 10 ditë pune,  ndërsa votimi mund të prolongohet  deri në sigurimin e 80 votave të nevojshme, ka thënë disa herë, kreu i kuvendit Talat Xhaferi. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)