Liga e Konferencës, Struga TL mbetet në udhëkryq për stadiumin

18.08.2023 15:27

Kampioni i vendit Struga Trim Lum, mbrëmjen e kaluar arriti të sigurojë kualifikimin në fazën e “play offit” të Ligës së Konferencës së UEFA, por megjithatë sa i përket fushës së ku do ta luajë ndeshjen e radhës ka shumë dilema.....

Ndeshja Struga TL -Breidablik, e vlefshme për fazën “play-off” të Ligës së Konferencës së UEFA-së, do të luhet në datën 24 gusht. Çdo gjë është e njohur por ka vetëm një paqartësi  se  në cilin stadium do të luhet kjo ndeshje që mund të jetë epike për të ardhmen e struganëve.

Drejtori sportiv i kësaj skuadre, para ndeshjes me Esperanzh, tha se ndeshja e radhës do të luhet në “Elbasan Arena”. 

Krahas informatave jozyrtare se ndeshja në fjalë do luhet në “Elbasan Arena” dhe se vendimi është marrë në konsultimin mes UEFA-s, FFM-së dhe FShF-së,  nga shtëpia e futbollit vendor për servisin publik thonë se ende është herë të thuhet se ku do të luhet ndeshja.

FFM-ja, këmbëngul që ndeshja të luhet në terren vendas. Inspektimet e fundit nga UEFA, dëshmuan se asnjë stadium në vend përfshirë edhe arenën “Todor Proevski” në Shkup, nuk plotëson kriteret e qeverisë së futbollit europian për ndeshjet e kësaj faze.

Arena “Todor Proevski” është mbyllur për të gjitha ngjarjet sportive dhe po kryhen punimet për sanimin e terrenit për ndeshjet eliminatore të shtatorit.