Maqedoni

Gruevski: për të gjitha paditë do të përgjigjen institucionet

05.03.2015 17:01

Pas dorëzimit të materialeve plotësuese në prokurori nga ana e anëtarëve të LSDM-së për zgjerimin e padisë penale për përgjimet e paautorizuara...

Pas dorëzimit të materialeve plotësuese në prokurori nga ana e anëtarëve të LSDM-së për zgjerimin e padisë penale për përgjimet e paautorizuara, kryeministri, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se për të gjitha paditë e dorëzuara do të përgjigjen institucionet e sistemit.
 
Ai ka shtuar se e rëndësishme në këtë rast është përmbajtja e padive dhe jo numri i tyre.
 
“Kur bëhet fjalë për paditë penale edhe ato nga ana e Zaevit drejt nesh dhe ato nga ana e institucioneve drejt LSDM-së, për këtë do të përgjigjen institucionet e sistemit. Përshtypja ime është se Zaevi mundohet të lëshojë sa më shumë padi penale me qëllim të japë porosi opinionit se ja edhe ne kemi padi penale. Në drejtësi kjo nuk është kështu. Në drejtësi nuk shikohet kush sa padi ka dorëzuar, por shikohet përmbajtja e tyre”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Njëherit, sa i përket deklaratës së raportuesit për Ballkanin Perëndimor, Josip Juratoviq, në Bundestagun gjerman se thirrja në shërbimet e huaja si përgjegjëse për përgjimet në Maqedoni është arsyetim bosh, Gruevski ka vlerësuar se ai nuk është plotësisht i informuar për çështjen në fjalë.
 
“Njeriu me siguri nuk është plotësisht i informuar dhe jep qëndrim politik pa i pasur të gjitha informatat. Kuptohet se të gjitha përgjimet janë jolegalë këto që i prezanton zoteri Zaevi”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Qëndrimi i Juratoviqit vjen nga diskutimi i djeshëm në Komisionin për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman për ndodhitë aktuale në Maqedoni.
 
Gruevski tha se Maqedonia ka qeveri e cila është e gatshme të punojë deri në mbarim të mandatit të saj.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI