Mustafi nuk e ka ndërmend pensionimin
Shkodran Mustafit as që i shkon ndërmend tërheqja nga futbolli aktiv...

Shkodran Mustafit as që i shkon ndërmend tërheqja nga futbolli aktiv. Të paktën, jo në këtë mënyrë. Ai është në kërkim të një sfide të re, pasi është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe operimi që e pati në muajin nëntor të vitit të shkuar. Insiston se mund të luajë të paktën edhe për katër vjet të tjerë.
Në një intervistë për mediumet gjermane të enjten, Mustafi ka thënë se po i shikon lëvizjet në këtë afat kalimtar të verës dhe është në pritje të ofertës dhe projektit të duhur.
Aktualisht është lojtar i lirë dhe mund të gjejë klub edhe pas mbylljes së afatit kalimtar në fund të këtij muaji.
“Në nëntor e pata një operim. Pastaj isha në Munich në një qendër rehabilitimi. Tani, po e mbaj veten në formë të mirë dhe të gatshëm. Më duhet të jem shumë i durueshëm në këtë fazë dhe të shoh se çfarë po ndodh në treg, pasi gjithçka nuk varet prej meje. Kam pasur një vit e gjysmë të vështirë dhe e dija se nuk do të jem ndër lojtarët më të preferuar në treg këtë afat kalimtar”, ka thënë Mustafi. “Dua të vazhdoj të luaj edhe për disa vjet. Jam vetëm 31-vjeçar dhe sigurisht se do ta vazhdoj karrierën, veçanërisht pasi periudha e fundit ka qenë katastrofale. Të paktën do të vazhdoj me futboll aktiv deri në moshën 35-vjeçare dhe pastaj do të shoh si do të shkojnë gjërat”.
Insiston se në opsion nuk e ka rikthimin te Levante, ekip të cilit iu bashkua në verën e vitit 2021 si lojtar i lirë.
Sa u përket destinacioneve tjera, Mustafi nuk ka ndonjë preferencë. Madje, thotë se do të transferohej edhe në Arabinë Saudite, por një lëvizje të tillë do ta bënte vetëm për shkak të parave.
“Në këtë moment nuk përjashtoj asnjë mundësi që më ofrohet, ndonëse te Levante nuk e kam në opsion kthimin. Nëse shkoj në Arabinë Saudite, nuk do të shkoj për të fituar trofe apo për ta filluar ndonjë projekt, por vetëm për shkak të parave që i ofrojnë. Megjithatë, oferta duhet të jetë e mirë duke pasur parasysh se shumë lojtarë të klasit të lartë tashmë janë zhvendosur”, ka thënë ai.
Mustafi ka një karrierë të pasur, pasi ka qenë edhe reprezentuesi i Gjermanisë, duke regjistruar 20 paraqitje dhe realizuar dy gola. Madje me Gjermaninë është shpallur kampion i botës në vitin 2020.
Edhe karrierën në nivel klubesh e ka pasur të mirë, pasi ka luajtur për skuadra të mëdha dhe njohura të Evropës.
Si senior ka debutuar te Sampdoria për ta vazhduar pastaj rrugëtimin te Valencia, Arsenali, Schalke dhe Levante në fund. Madje, Arsenali në verën e vitit 2016 pati paguar 41 milionë euro për ta transferuar nga Valencia në “Emirates”.
Tek Arsenali ai luajti pesë edicione dhe fitoi dy herë Kupën FA.
“Nëse kthehem prapa në karrierën time, atëherë mund të them se kohën më të suksesshme e kam kaluar tek Arsenali”, pranoi Mustafi, i cili ka regjistruar 152 paraqitje në të gjitha garat.
“Mirëpo, periudhën më të lumtur, në të cilën kam bërë paraqitjet më të mira, mund të them se ishte viti i parë te Valencia”.
Mustafi luajti dy edicione te Valencia, ekip që pagoi 8 milionë euro për ta transferuar nga Sampdoria në verën e vitit 2014.
Si lojtar Mustafi është zhvilluar në akademinë e Hamburgut prej së cilës u largua në vitin 2009 për t’iu bashkuar të rinjve të Evertonit në Angli.
Në fakt, Mustafi nuk ka pasur periudhë të mirë në dy klubet e fundit, Schalke dhe Levante. Te Schalke luajti vetëm gjashtë muaj dhe regjistroi 13 paraqitje, ndërsa te Levante përgjatë dy edicioneve të fundit në total pati 14 ndeshje.
