Bundesliga nis me një… klasike

18.08.2023 15:00

Verder Bremen përballë Bayern Munih....

Verder Bremen përballë Bayern Munih. Nuk mund të kishte një dyshe më ideale për të nisur edicionin e 60-të të kampionatit gjerman. Në atë kohë Bayern nuk merrte pjesë pasi ekipet pjesëmarrëse futeshin me ftesa ndërsa Verder-i kishte siguruar një të tillë me statusin e “themelueses”.

Më 24 gusht të 1963 ndeshja e parë historike e Bundesliga-s u luajt mes bardhë-jeshilëve të Bremenit dhe Borussia të Dortmundit, duel ky i fituar nga Verder-i falë një përmbysje spektakolare.

Që prej atij takimi Verder-i ka regjistruar plot 1967 ndeshje në Bundesliga ndërsa Bayern ka plot 1976.

Siç dihet Verder është njëra prej 16 skuadrave, të cilat kanë themeluar këtë kampionat. Ndërsa Bayern është ftuar për të qenë pjesë e këtij kompeticioni në vitin 1965.

Sezoni i ri do të jetë special për të dy klubet pasi do të kenë mundësi që të regjistrojnë ndeshjet e 2000-ta në këtë kompeticion.

Nuk është një sekret të thuash se ndeshjet mes Bayern dhe Verder janë më të shpeshtat në Bundesliga.

32-herë kampionët e Gjermanisë, të cilët nuk kanë rënë kurrë në Bundesliga 2, janë ndeshur plot 112 herë me Verder-in. Prej këtyre ndeshjeve bavarezët kanë fituar 60 ndërsa kanë humbur vetëm 26.

Disfatën e fundit Verder-i ia ka shkaktuar Bayern-it më 20 shtator të 2008-ës.

Vetëm Borussia e Mënshengladbah ka mundur më shpesh Bayern-in se Verder-i duke regjistruar plot 28 fitore përballë rekordmenëve të bavarisë.

Kampionati gjerman nis sot në mbrëmje në orën 20:30.