Maqedoni

KE: Progres i theksuar në financat publike

19.08.2023 12:57

Komisioni Evropian në draft raportin në procesin e skriningut për Klasterin e parë...

Komisioni Evropian në draft raportin në procesin e skriningut për Klasterin e parë thekson se Qeveria ka përparuar dukshëm në fushën e përgatitjes, zbatimit dhe raportimit të buxhetit. Zbatimi i Programit të reformave në financat publike karakterizohet nga niveli i lartë i transparencës, ndërsa miratimi i Ligjit të Buxheteve mundëson zbatimin e reformave më të rëndësishme në buxhetim, të cilat rrisin qëndrueshmërinë fiskale. Megjithatë, KE konsideron se këtyre reformave u duhet edhe më shumë shpejtësi, që të arrihet reforma gjithëpërfshirëse dhe ambicioze e inkorporuar në Ligjin e ri të Buxheteve, me ç’rast duhet të miratojë plan veprimi dhe ta përshpejtojë vendosjen e strukturave të reja institucionale të parapara në Ligjin e Buxheteve si dhe të sigurojë kuadër adekuat në njësitë kryesore reformuese në Ministrinë e Financave, DAP dhe Drejtorinë Doganore.

Besimi promovon “Financat publike SMART”
 
Ministri i Financave Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit njofton se është krijuar Programi i reformave të financave publike ose “Financat publike SMART”. 
 
“Kjo strategji përfshin reforma në kontrollin e brendshëm financiar publik, prokurimet publike, revizionin dhe menaxhimin e financave publike, respektivisht të gjitha aspektet e vlerësuara nga Bashkimi Evropian. Krahas miratimit të Ligjit sistemik të Buxheteve, i cili është bartës i një pjese të madhe të procesit reformues në financat publike, janë përgatitur ose po përgatiten zgjidhje të tjera ligjore, si ndryshime thelbësore të Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Ligjit të Ndërmarrjeve Publike, Ligjit të Disiplinës Financiare etj.”, shkruan mes tjerash, Besimi.
 
Konsideron se, një nga reformat më të mëdha në financat publike është zbatimi i Sistemit të Njësuar Informativ për Menaxhimin e Financave Publike - IFMIS, i cili do të përmirësojë efikasitetin, përmes lidhjes së sistemeve të fragmentuara në financat publike, do të sjellë parashikueshmëri dhe kontroll më të madh në zbatimin e buxhetit.
 
Ndër konkluzionet e tjera, që janë në sferën e kompetencave të Ministrisë së Financave, KE-ja vlerëson se korniza ligjore për prokurimet publike ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislacionin e BE-së.
 
ARDITA RAMADANI