Maqedoni

Ndërkombëtarët, “shuplakë” liderëve të partive politike në vend

05.03.2015 17:18

Shkaku i krizës politike në vend, ndërkombëtarët ditëve të fundit i drejtohen Maqedonisë në mënyrë të drejtpërdrejt, duke lënë anash tërësisht gjuhën diplomatike...

Profesori universitar, Qashif Bakiu, bazuar në praktikën e deritanishme të shteteve të jashtme, shprehet se mungesa e gjuhës diplomatike vjen atëherë kur ndërkombëtarët konstatojnë se në një shtet nuk funksionojnë as institucionet shtetërore e as ato politike. 
 
“Si çdo fushë tjetër edhe diplomacia ka kufijtë e saj. Praktika diplomatike edhe kjo formë është e njohur si një formë që tregon mosbesim. Në këtë formë të komunikimit unë shoh dy momente kryesore, komunikim të përshtatur për vende ku nuk funksionojnë as institucionet shtetërore e as ato politike. Do të kisha ndarë edhe atë që ne e quajmë si institucion të debatit politik ndërmjet faktorëve politikë. Momenti tjetër i cili mund të vërehet nga kjo formë e komunikimit është humbja e besimit tek partitë politike. Mendoj se faktori ndërkombëtar tashmë nuk sheh partner tek asnjëra nga forcat politike dhe jam i bindur se kjo formë e komunikimit vjen si rrjedhojë e humbjes së besimit tek partitë politike të cilat veprojnë aktualisht”- deklaroi profesori universitar, Qashif Bakiu.
 
Për momentin faktori ndërkombëtar shfrytëzon një gjuhë të cilën e kanë më lehtë ta kuptojnë të gjitha palët, vlerëson Bakiu. 
 
“Gjitha rekomandimet që vijnë, vijnë në mënyrë që të harmonizohen praktikat, të harmonizohet funksionimi i shtetit, të harmonizohet legjislativa me atë të BE-së. Nuk mundet të anëtarësohet një shtet në BE pa i harmonizuar elementet të cilat përmendim, sepse ajo është në dëm jo vetëm të shtetit që tenton të anëtarësohet, por edhe në dëm të vetë BE-së. Të gjitha këto forma të komunikimit dhe të gjitha paralajmërimet vijnë si rezultat i asaj që komuniteti ndërkombëtar tërheq vërejtjen për të ecur në rrugë të drejt, rrugë të cilën aktualisht për fat të keq ne nuk e shohim”- tha profesori universitar, Qashif Bakiu.
 
Sipas profesorit Bakiu, faktori ndërkombëtar mundet vetëm të japë vërejtje, sepse për momentin Maqedonia ka një thes me probleme të natyrës së brendshme, të cilat duhet të gjejë formë që vetë t’i zgjidhë.   
 
SANIJE KASAMI