Botë

Tone të ashpra në Kuvendin shqiptar, opozita kërkon dorëheqjen e Metës

05.03.2015 17:21

Parlamenti është kthyer sot në arenë sulmesh mes mazhorancës dhe opozitës, kur kjo e fundit ka vendosur të bllokojë foltoren e kuvendit në përpjekje për të prishur rendin e tij...

Me kryefjalë akuzat për vrasjen e Tom Doshit, në fillim Edi Paloka dhe më pas ish-kryeministri Berisha kanë kërkuar me këmbëngulje dorëheqjen e kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke e cilësuar si kriminel.
 
Gjatë replikave mes Berishës dhe Metës nuk kanë munguar edhe ironia dhe batutat.
 
Akuzat kanë vijuar për orë të tëra, derisa Meta është detyruar që t’i miratojë projektligjet e parashikuara në rendin e ditës pa pritur të numërojë mirë kartonat.
 
Seanca ka zgjatur vetëm tre orë dhe pas saj kryeministri, Edi Rama, i cilësoi akuzat për vrasjen e Tom Doshit qesharake, duke deklaruar se Berisha nuk ka dhënë ende llogari për 4 vrasjet e 21 janarit para kryeministrisë.
 
Ndërkohë, i arrestuari si vrasës me pagesë i Doshit është shprehur se nuk ka kërkuar njeri vrasjen e tij, por Doshi i ka kërkuar që të gënjejë. Deputeti Doshi është marrë në pyetje në prokurori për disa orë rresht.
 
LULJETA NDOKA