Maqedoni

Fillimi i vitit shkollor, Shaqiri: Këtë vit, investime rekord në shkolla

20.08.2023 16:05

Kur jemi në prag të vitit të ri shkollor, lindin të njëjtat problematika me tekstet shkollore....

Kur jemi në prag të vitit të ri shkollor, lindin të njëjtat problematika me tekstet shkollore. Librat për klasën e tretë dhe të gjashtë nuk janë ende gati. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit të përgatisë materiale, t’i dorëzojë, që mësimdhënësit dhe fëmijët t’i kenë materialet në formë elektronike. 
 
“Për klasën e gjashtë programet kanë arritur në muajin shkurt dhe mars, që d.m.th. më vonë pak se klasa e tretë, por edhe aty mund të garantoj që të gjitha procedurat janë në fazë të avancuar. Por që për të qenë të përgatirur, ne kemi kërkuar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, të përgatisë materiale, t’i dorëzojë, që mesimdhënësit dhe fëmijët t’i kenë materialet në formë elektronike.”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës. 
 
Ky vit shkollor do të jetë ndër vitet më të përgatitura në vendin tonë, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, për TVM2. Në rreth 56 shkolla është bërë investimi kapital, i cili po përfundon brenda muajit gusht. Rreth 356 shkolla në arsimin fillor kanë marrë kabinetet e tyre të plotësuara me materialet. 
 
“Rreth 356 shkolla në arsimin fillor kanë marrë kabinetet e tyre të plotesuara me materialet për lëndët e gjeografisë, historisë, materiale të cilat kanë të bëjnë me materiale didaktike ndihmëse për procesin mësimor, pasi që vitin e kaluar përgatitëm kabinetet e biologjisë, kimisë, shkencave të natyrës… Jemi duke vazhduar të bëjmë mbështetje nga aspekti i IT-infrastrukturës.”, tha Shaqiri.
 
Ndërkohë, libraritë kanë filluar me përgatitjen e sigurimit të mjeteve të nevojshme shkollore. Mirëpo, ata shfaqin kërkesën e prindërve që të mund t’i gjejnë librat në shitje në librari, sepse shpeshherë janë të grisur dhe të demtuar. 
 
“Problemi më i madh paraqitet me tekstet shkollore, sepse veç më Ministria e Arsimit dhe Shkencës i jep falas për të gjithë nxënësit, por ka edhe tekste shkollore që janë mjaft të përdorura dhe janë të grisura, prandaj pjesa më e madhe e prindërve kanë nevojë apo kërkesën më të madhe e kanë për të njëjtat tekste shkollore të jenë edhe në shitje.”, tha Sedat Koka nga Libraria “KOKA”.
 
Prindërit kërkojnë që librat të jenë në shitje 
 
Përveç problematikave të lartpërmendura, shqetësim shtesë për prindërit paraqet edhe ndikimi i inflacionit që ka rritur koston e materialeve shkollore. 
 
“Një fletore nëse ka qenë 10 den. tani është bërë 30 den. Kanë ndikuar shumë çmimet, dmth janë rritur edhe tek ne.”, tha Sedat Koka nga Libraria “KOKA”.
 
“Disa mjete shkollore po i kam blerë, disa akoma jo. Fletore, stilografa dhe gjërat e tjera që nevojiten më së shumti. Me gëzim e pres fillimin e vitit shkollor.”, tha një nxënëse.
 
“Librat atje janë më lehtë për t’u furnizuar, se këtu. Atje ka filluar shkolla ka gati 2 javë. Këtu duhet vet fëmijët apo familjarët t’i blejnë ato. Përveç ndonjë laps apo fletore, gjërat e tjera i furnozon shkolla për fëmijët dhe në kohë.”, u shpreh një prind nga Gjermania.
 
“Po, po i kam blerë. Të gjitha ato që duhen.”, tha një nxënës. 
 
“Jo, akoma. Jo!”, tha një nxënëse.  
 
“Po, i kam blerë disa, po pres edhe disa gjëra t’i blej. I kam blerë disa fletore, disa lapsa, disa ngjyra, çantën e kam ble. Librat pres që shkolla të na japë dhe mezi e presim të nis shkolla.”, tha një nxënëse.
 
“Akoma nuk i kemi filluar, po dalëngadalë duhet të fillojmë normal, fëmijët patjetër duhet të përgatiten, jo çanta, jo shkolla, jo librat, jo fletore. Gjithçka është shtrenjtuar dhe pajisjet shkollore normal që janë shrenjtuar, normal. Është diçka e domosdoshme, do të lësh diçka mungesë që t’ia plotësosh kërkesat fëmijës, normal. Ndoshta me vështirësi, por do t’ia dalim.”, u shpreh një prind.
 
“Do t’i blejmë të gjitha pajisjet shkollore.”, tha një nxënës.  
 
“Po! Libra fletore, çanta, lapsa.”, tha një nxënës.  
 
Përkundër debateve për datën e fillimit të vitit shkollor, zilja e parë shkollore do të bie më 1 shtator për të gjithë nxënësit e vendit dhe ajo do të përfundojë më 15 qershor, për shkak të pushimit njëjavor pranveror.
 
FITORE DEMOLLI