Maqedoni

Pezullimi i ndryshimeve kushtetuese, Selmani: Rruga evropiane e RMV-së në udhëkryq

21.08.2023 15:04

Maqedonia e Veriut në udhëkryq të rrugëtimit europian tanimë me pezullimin e ndryshimeve kushtetuese....

Maqedonia e Veriut në udhëkryq të rrugëtimit europian tanimë me pezullimin e ndryshimeve kushtetuese. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje, por për zgjidhje duke profilizuar të ardhmen e vet drejt Europës, megjithëse nuk përjashton mundësinë edhe të zgjedhjeve të parakohshme.
 
“Zgjidhja e problemit fundamental të vetë shtetit është prioritet që të merren vesh dhe të bëhen ndryshime kushtetuese, dhe ky do të ishte interesi i përgjithshëm, kolektiv, nacional dhe shtetëror. Fatkeqësisht qëndrimet diametralisht të kundërta nuk përjashtohen edhe zgjedhjet.”, tha profesori universitar Bashkim Selmani.
 
Megjithatë, Selmani vlerëson se zgjedhjet nuk janë vlerësimi real për shpëtimin e shtetit, konstatim ky edhe i BE-së. Selmani thotë se forcat politike do të bëhen një mendje rreth proceseve progresive.
 
“Në këtë rast kam bindjen se do të gjenden forca brenda VMRO-së, dhe ata që do të mendojnë pozitivisht do ta ndihmojnë vetë shtetin dhe vetë ardhmërinë e shtetit, në të kundërtën zgjedhjet do të jenë problemi më i lartë i vetë shtetit dhe ajo do të krijoj humbje të kohës dhe rikthim pas të vetë shtetit. Prandaj kam bindjen se do të gjinden forca dhe bullgarët do të jenë pjesë e kushtetutës.”, tha Selmani.
 
Javën e kaluar kryeparlamentari Talat Xhaferi pas përfundimit të debatit për ndryshimet kushtetuese e ndërpreun seancën, duke lënë votimin për një ditë tjetër, pasi opozita ishte kategorikisht kundër. Kundërshtimi i tyre pamundësoi grumbullimin e 80 votave të nevojshme për të mbërthyer procesin e ndryshimeve kushtetuese.
 
MERALE ISMAILI