Maqedoni
Komuna e Çairit dhe LASH-i, ndanë mirënjohje për veteranët e arsimit
05.03.2015 18:14
Në vigjilje të “7 Marsit”-ditës së mësuesit, Komuna e Çairit në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë...

Në vigjilje të “7 Marsit”-ditës së mësuesit, Komuna e Çairit në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë kanë realizuar një takim me veteranët e arsimit dhe mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune.
Me këtë rast, kreu i komunës ndau 19 vendime pune për afat të pacaktuar dhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar të shkollave të kësaj komune.
Angazhimin e mësimdhënësve Mexhiti e cilësoi si mision në përhapjen e dijes dhe edukimin e brezave të rinj.
“Ky mision i juaj për edukimin dhe arsimimin e brezave të ri ka qenë dhe mbetet sa fisnik po aq edhe flijues, sa human po aq edhe i vështirë për shkak të rrethanave politike dhe jo gjithmonë të barabartë me të tjerët, për shkak të mohimeve dhe diskriminimeve me të cilat ju jeni ballafaquar në vazhdimësi gjatë karrierës tuaj si punëtorë të arsimit dhe si misionarë të përhapjes së dijës dhe të promovimit të dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Veterani i arsimit, Rexhep Meça, përkujtoi kohën e vështirë të mësimdhënësve në gjuhën shqipe.
Ai kërkoi më shumë angazhim për moshën parashkollore, si bazë për të siguruar sukses në procesin edukativo-mësimor.
“Nuk mund të ecim përpara në qoftë se ne nuk zhvillojmë mësimin amtarë, mësimin amnorë. Është mosha prej lindjes deri në moshën 6 vjeçare. Çfarë është ajo? Ajo është mosha e fëmijës prej lindjes deri në moshën 6 vjeçare, kur fillon të shkojë në klasë të parë. Po s’patëm çerdhe, kopshte, foshnjore ne në klasën e parë hyjmë me një fëmijë i cili ka një fond prej 250 fjalësh, ndërsa me një fond të tillë nuk mund të fitohet dije”- tha veterani i arsimit, Rexhep Meça.
Ndryshe, kjo ngjarje mbahet për çdo vit nën patronazhin e kryetarit, Izet Mexhiti, për të shënuar kontributin e mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë në arsimin shqip nëpër shkollat që gravitojnë në këtë komunë.
NAIM RAMADANI
