Botë

Kërcënimi i ministrit serb për RMV-në e Malin e Zi, reagime nga Shkupi, Tirana e Podgorica

22.08.2023 14:08

Reagime nga Shkupi, Podgorica e Tirana ndaj deklaratës kërcënuese të ministrit serb të mbrojtjes Millosh Vuçeviq...

Reagime nga Shkupi, Podgorica e Tirana ndaj deklaratës kërcënuese të ministrit serb të mbrojtjes Millosh Vuçeviq, ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi për shkak të njohjes së Kosovës.  
 
“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës”, ka deklaruar Vuçeviq sipas të cilit ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
 
Në reagimin e misnitrit të jashtëm Bujar Osmani thuhet se Maqedonia e Veriut pret sqarime nga minsitria serbe e mbrojtjes. 
 
“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Angazhohemi për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë R. e Sërbisë dhe R. e Kosovës. Presim sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë.”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.  
 
Edhe presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç e konsideroi të papranueshme “çdo përpjekje nga aktorë të huaj, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”. 
 
Reagim edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka theksuar se nuk do të lejohet askush të na tërheq pas në të shkuarën.
 
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme.”, ka shkruar Rama.
 
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është munduar ta zbut situatën duke kërkaur që zyrtarët serb të jenë më të kujdesshëm me deklaratat ndaj Maqedonisë së Veriut. 
 
“Kam folur me zotin Kovaçevski dhe i kam thënë se nëse dikush në Maqedoninë e Veriut është ndjerë i ofenduar edhe pse un mendoj se nuk ka arsye për diçka të tillë, unë kërkoj falje sepse maqedonasit janë vëllezërit tanë dhe nuk kemi kurfar problem me ta.”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
 
Por kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Serbinë, Sonja Biserko për mediat malazeze tha se “nuk duhet nënvlerësuar mundësia që Serbia mund të bëjë diçka qo do të rezultonte në një destabilizim të mëtejshëm të rajoninit”.
 
GYLTENE SINANI