Botë
Ukrainë, ligjvënësit thirrje Obamës për armatim në Ukrainë
06.03.2015 14:11
Krerët e republikanëve dhe demokratëve i kanë bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për të dërguar armatime të rënda në Ukrainë...

Krerët e republikanëve dhe demokratëve i kanë bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për të dërguar armatime të rënda në Ukrainë, në luftën e saj kundër rebelëve pro-rusë.
Në një letër, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner dhe ligjvënës të tjerë janë shprehur se veprimet e Rusisë ishin një shkelje “groteske e të drejtave ndërkombëtare”.
Ata thanë se armëpushimi i fundit ka konsoliduar pozitat e pro-rusëve në lindje të Ukrainës.
Në letrën dypartiake, të nënshkruar nga 11 ligjvënës, thuhet se veprimet e Rusisë në Ukrainë “ishin një sfidë për Perëndimin dhe një goditje ndaj rendit ndërkombëtar të vendosur me kosto të madhe në prag të Luftës së Dytë Botërore”.
Në letër është kritikuar Bashkimi Evropian për “mungesë qartësie” në politikën e Perëndimit për çështjen e Ukrainës dhe se Obama duhet të jetë udhëheqës në këtë rrugë.
Një numër i madh politikanësh amerikanë kanë ushtruar presion mbi presidentin Obama për një kohë të gjatë, për armatosjen e Ukrainës, duke e kritikuar atë për pavendosshmëri.
Ndërkohë, ministrat e BE-së do të takohen gjatë ditës së sotme në Letoni për të diskutuar mbi krizën në lindje të Ukrainës.
