Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Qëndrimi i VMRO-së nuk ndryshon
23.08.2023 15:04
Partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta rreth ndryshimeve kushtetuese....

Partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta rreth ndryshimeve kushtetuese. Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski thotë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese, madje ky qëndrim do t’i kumtohet dhe arsyetohet edhe zv/ndihmësit të sekretarit shtetëror të SHBA-ve Gabriel Eskobar, i cili këto ditë do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut. Për Mickoskin, vizita e Eskobarit është njejtë si çdo vizitë tjetër.
“Çdo bashkëbisedues me qëllim të mirë është i mirëpritur, kushdo që dëshiron të dëgjojë argumentet e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, të popullit të Maqedonisë është i mirëpritur. Fakti që Qeveria tani po përpiqet ta paraqesë vizitën e Eskobarit si vizitë e një buldozeri diplomatik që është thirrur nga Qeveria për tortura dhe presione, kjo tashmë është një dobësi e këtyre kriminelëve nga Qeveria. Askush nuk bën tortura dhe presione në shekullin e 21-të, madje edhe po të bënin, kanë zgjedhur bashkëbiseduesit e gabuar.”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Spasovski: Përpiqemi të sigurojmë shumicë
Nga ana tjetër pushteti po bën përpjekje për të siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve që do të votonin ndryshimet kushtetuse. Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski tha se po flasin me çdo deputet sepse tani përgjegjësia është e deputetëve. Ai apeloi që politikanët të jenë të arsyeshëm dhe të lënë anash interesat personale, sepse bëhet fjalë për ardhmërinë e shtetit.
“Izolimi i shtetit, veçanërisht izolimi që vjen nga brenda, është i papranueshëm. Ashtu që edhe në periudhën e ardhëshme do të vazhdojmë me dialog dhe aktivitetet politik. Unë dua që sa më shpejtë t’i mbarojmë këto aktivitete dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpara në rrugën drejt integrimeve evropiane, sepse nëse ndalojmë në këtë rrugëtim, ka efekt negativ mbi shtetin dhe qytetarët.”, tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese janë të nevojshme 80 vota “për”, në mungesë të të cilave nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nuk u vu në votim nga kryeparlamentari Talat Xhaferi pas përfundimit të debatit më 18 gusht.
ERSAN PAJAZITI
