Botë

Zjarret në Greqi dhe Turqi, ndërrojnë jetën të paktën 20 persona

23.08.2023 16:08

Situatë alarmante me zjarret në Greqi dhe Turqi, si pasojë e të cilave në Greqi janë regjistruar të paktën 20 viktima...

Situatë alarmante me zjarret në Greqi dhe Turqi, si pasojë e të cilave në Greqi janë regjistruar të paktën 20 viktima. Në periferi të Athinës qindra zjarrfikës që mbrëmë janë përpjekur të lokalizojnë zjarrin, ku janë shkatërruar disa shtëpi, ndërsa pika e madhe e nxehtë po i afrohet malit Parnita, ku ndodhet baza e radarëve të Forcave Ajrore Greke. Forcat e sigurisë po vazhdojnë të evakuojnë banorët vendas, për shkak të kërcënimit të zjarreve të reja në të gjithë vendin. Në veri të Athinës, në tre shtëpi për të moshuarit, u evakuan pothuajse 150 persona. 
 
“Kjo pikë e nxehtë nuk ekzistonte pesë minuta më parë. Sapo u shfaq. Nuk e di se çfarë po ndodh.”, u shpreh një qytetar.
 
“A nuk duhej ta shuanin zjarrin dje?”, tha një qytetar.
 
"Të gjitha jetët tona janë zhdukur në ajër! Shiko, po digjet!”, u shpreh një qytetar.
 
“Ferrin e pashë dhe më humbi mendja!”, tha një qytetar.
 
“Ne rrimë zgjuar nëse duhet të ndërhyjmë, mjeti është këtu me kontejnerë uji.”, u shpreh një qytetar.
 
Ekipet e shpëtimit gjetën dje 18 trupa të djegur, që besohet të jenë emigrantë, në një zonë rurale pranë pyllit Dadia në rajonin verior të Evros. Rruga në kufi me Turqinë është shumë e popullarizuar nga njerëzit nga Lindja e Mesme dhe Azia që duan të arrijnë në vendet e BE-së.
 
“Në zjarrin në pyll në Aleksandropolis, shërbimi zjarrfikës në zonën më të gjerë të Avantas, pranë një shtëpie fundjave, gjeti tetëmbëdhjetë trupa. Nuk ka raportime për banorë të zhdukur nga zonat përreth dhe po hetohet mundësia që bëhet fjalë për persona që kanë hyrë ilegalisht në vend.”, tha Yanis Artopios, zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve.
 
Zjarrfikësit në provincën veriperëndimore të Turqisë të Çanakalasë po luftojnë gjithashtu me flakët e rrezikshme. Flakët kanë mbyllur ngushticën e Dardaneleve të Turqisë për trafikun detar në të dy drejtimet. Ngushtica është gjithashtu një kalim historik i rëndësishëm që lidh Egjeun me Detin e Zi dhe është një rrugë jetike për trafikun e anijeve midis Evropës dhe Azisë.
 
BELINDA KOKA ADEMI