Maqedoni

Paralelet në Veles dhe Çashkë, Shaqiri: Ka ngadalësim nga pushteti lokal

23.08.2023 16:33

Ligjet në vend e garantojnë mësimin dhe arsimimin, por jo specifikisht në gjuhën amtare...

Ligjet në vend e garantojnë mësimin dhe arsimimin, por jo specifikisht në gjuhën amtare, por që kemi vendbanime apo edhe mjaftueshëm nxënës të etnitetit shqiptar në Veles, Idrizovë e komunë të Çashkës, që nuk po mund ta ndjekin mësimin në gjuhën amtare. E drejtë kushtetuese e gjithsecilit është të mësojë në gjuhën amtare, tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili sqaron ngecjen e procedurave në këto shkolla dhe inicijativën e ndërmarrë nga ministria për zgjidhjen e kësaj problematike, që në fillim te vitit të ri shkollor, këto problematika mos të jenë prezente dhe mësimi të fillojë njësoj për të gjithë nxënësit e vendit. 

“Gjatë verës, në komunën e Velesit, në arsimin e mesëm, është hapur një paralele plotësuese, në bazë të kërkesave dhe nevojave për arsimin e mesëm të qytetarëve atje, ende jemi në komunikim, presim shkresën nga komuna. Sa i takon në Veles, nuk kemi përfunduar aty diskutimin, sepse vazhdon të jetë një debat edhe në komunën e Çashkës. Ka një ngadalësim të procedurave nga ana e banorëve, nga ana e pushtetit lokal atje, nga ana e mësimdhënësve, por do të kisha apelur vendimi kur të sillet për hapjen e paraleles, ta mirpresin.”, tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Shkolla në Vizbeg, Shaqiri: Pres të hapet këtë vit
 
Problematike paraqitet edhe shkolla në lagjen Vizbeg të Shkupit, ku për shkak të mungesës së shkollës fillore, mbi 1400 nxënës të kësaj lagjeje ishin të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë. Sipas ministrit Shaqiri, ky objekt i ri shkollor në Vizbeg pritet të lëshohet në përdorim për këtë vit shkollor 2023-2024, ndërsa në të janë paraparë të mësojnë 500 nxënës në 17 paralele.
 
“Çështja e Vizbegut është një ndër diskutimet, edhe aty kemi punuar gjatë gjithë verës, intenziteti dhe shkolla në aspektin infrastrukturor më 1 shtator do të jetë i përfunduar, edhe atje do të fillojë mësimi, tash nuk mund ta them saktësisht më 1 shtator, sepse duhet Këshilli komunal i komunës së Butelit, të marrë vendimin për hapjen e shkollës.”, tha Shaqiri.
 
Vitin e kaluar, komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në shkollën fillore “Njegosh” në lagjen e Jurumlerit, mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit. Por, kjo nuk ndodhi. Sipas autoriteteve, flitej për një gabim të bërë nga Komuna e Gazi Babës gjatë aplikimit në MASh që kanë dorëzuar një projekt kopje të vjetër. Nxënësit e fshatit Idrizovë nuk kërkonin laboratorë e as tabela digjitale, ajo që kërkonin është vetëm një shkollë ku do të kenë mundësi të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Shaqiri është optimist se kjo shkollë më në fund do t’i gëzojë këta fëmijë me mësimin dhe paralelen në gjuhën e tyre amë.
 
“E njejta po na ndodh edhe në komunën e Idrizovës. Kemi fëmijë që mbarojnë nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Dua dhe insistoj, janë rreth 16 fëmijë. Nuk shoh një energji positive nga ana e pushtetit lokal, nuk kanë gatishmëri për ta bërë një gjë të atillë.”, tha Shaqiri.
 
Ministri Shaqriri potencoi se gjatë pushimit veror, Ministria e Arsimit ka punuar me një intenzitet të lartë që ky vit i ri shkollor, që do të nis më 1 shtator, të fillojë pa probleme dhe në kohë për të gjithë nxënësit e vendit. 
 
FITORE DEMOLLI