Maqedoni

Takimi Osmani-Borrell: Mos lejojmë kthim mbrapa në procesin e integrimit

23.08.2023 18:05

Dosja europiane e Maqedonisë së Veriut ka qenë në fokus të bisedimeve të Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani...

Dosja europiane e Maqedonisë së Veriut ka qenë në fokus të bisedimeve të Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani dhe Nënkryetarit të Komisionit Europian, Zhozep Borrell. Në kuadër të vizitës së punës në Spanjë, Osmani e informoi shefin e diplomacisë europiane për rrjedhën e debatit parlamentar me qëllim miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si obligim i ndërmarrë në rrugën e pandërprerë të vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE.
 
“Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut dëshmon se është e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe pret nga Unioni që negociatat për anëtarësim të përfundojnë deri në fund të vitit 2030. Prandaj, as vendi dhe as Unioni nuk duhet të lejojnë ndonjë kthim të mundshëm mbrapa nga ky qëllim.”, ka thënë Osmani.
 
Duke e siguruar Borrellin për përpjekjet maksimale të Qeverisë për europianizimin e të gjithë sistemit politik përmes reformave të domosdoshme tashmë të përcaktuara, të pasqyruara në raportet pozitive të Komisionit Europian, Osmani e përshëndeti Planin e ri Zhvillimor të Komisionit Europian si përgjigje në kohë ndaj kërkesës sonë për më shumë integrim dhe përfitime për qytetarët tanë në rrugën drejt anëtarësimit.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashme.