Botë
Zjarr në klinikën e psikiatrisë në Prishtinë, një i vdekur dhe 50 të lënduar
24.08.2023 13:44
Një person i moshës 50 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga zjarri...

Një person i moshës 50 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga zjarri që ka rënë në Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë. Zjarri ka rënë në njërën nga dhomat e Shërbimit Emergjent të kësaj Klinike, ndërsa dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin dhomës së tipit të mbyllur dhe për shkak të tymit ka vdekur.
“Ishte pacienti që e vuri zjarrin në rrethana ende të panjohura për ne. Për pasojë, ai humbi jetën për shkak të asfiksisë nga tymi, pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftmin e Qendrës klinike duke saktësuar se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00.
Gjithashtu, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente, kanë njoftuar nga Qendra klinike në Prishtinë.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin duke njoftuar për një të vdekur dhe pesë të lënduar. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë nisur veprimet hetimore për rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Mediat në Prishtinë kanë njoftuar se pacienti ka pasur një shkrepëse të fshehur, me të cilën ka djegur dyshekun dhe batanijet që ndodhen në dhomë. Tanimë i ndjeri ishte pranuar dje në klinikën e psikiatrisë dhe pak orë pas pranimit kishte tentuar të ik nga spitali, por ishte rikthyer nga policia dhe një orë pas rikthimit ai i ka vënë zjarrin dhomës ku po qëndronte.
GYLTENE SINANI
