Maqedoni
Shkup, shënohet 32 vjetori i pavarësisë së Ukrainës
24.08.2023 14:40
Ukrainasit, maqedonasit dhe diplomatët festuan 32 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës me një marshim simbolik...

Ukrainasit, maqedonasit dhe diplomatët festuan 32 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës me një marshim simbolik me flamurin ukrainas nga monumenti i Taras Shevçenkos ne Shkup. Ambasadorja ukrainase Larisa Dir theksoi se Maqedonia e ka mbështetur plotësisht luftën e popullit ukrainas për liri që nga dita e parë e pushtimit rus.
“Dua të theksoj se Ukraina dhe ukrainasit po paguajnë një çmim shumë të lartë – jetën e tyre. Prandaj, çdo vendim në lidhje me ndihmën e ukrainasve është jetik për ne, ai na lejon të mbijetojmë, të luftojmë dhe të mbrohemi. Që nga pushtimi në shkallë të gjerë i territorit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, shteti agresor ka vrarë mijëra ukrainas me granatime me raketa dhe artileri, ka kthyer qytetet dhe fshatrat e lulëzuara të Ukrainës në hi.”, tha ambasadorja e Ukrainës ne Maqedoni, Larisa Dir.
Shoqata e ukrainasve "Lesja Ukrainka" e mirëpriti mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë dhe qëndrimin e përkohshëm të refugjatëve ukrainas në vend.
“Ne ukrainaset që jetojmë këtu jemi falemenderues për ndihmën e juaj. Jemi mirnjohës dhe falemenderues ndaj qeverisë, komunës dhe organizatave humanitare që kujdesen për ukrainasit këtu por, edhe për ukrainasit që janë në vendlindje.”, tha Oleksandër Urbanoviq nga shoqata e ukrainasve "Lesja Ukrainka".
Rruga “Nikola Kljusev” në qendër të Shkupit është riemëruar “Rruga e Ukrainës” në shenjë miqësie mes dy vendeve. Dita e Pavarësisë shënohet në rrugicë me ekspozitën "Fëmijët e Luftës" - vizatime të brezit më të ri ukrainas.
REJHANE BUSHI METAJ
