Maqedoni
Vizita e Eskobar-it, Mickovski: Pushteti lut botën të na bëjë presion
24.08.2023 15:26
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, duke iu referuar vizitës së zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Eskobar...

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, duke iu referuar vizitës së zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Eskobar, akuzon pushtetin se përmes ndërkobëtarëve tentojnë të bëjnë presion mbi VMRO-DPMNE-në që deputetët e saj të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Nga kjo parti sqarojnë se mosvotimi për ndryshimet kushtetuese nuk bëhet për shkak të kokfortësisë por për shkak se nuk u duket proces korrekt. Mickoski thotë se VMRO-DPMNE nuk do ta ndryshojnë vendimin për votim për amendamentet kushtetuese edhe pas takimit me Eskobarin.
“Njerëzit e pushtetit shkojnë, gjunjëzohen para botës dhe e lusin bashkësinë ndërkombëtare që të vijë këtu në Maqedoni dhe të bëjë presion që të bëjë presion dhe torturë mbi VMRO-DPMNE-në dhe përmes VMRO-DPMNE-së mbi shumicën dërrmuese të qytetarëve në Maqedoni. Por unë mund t'i zhgënjej ata, një gjë e tillë nuk do të funksionojë. Kjo ishte e qartë që më 18 gusht, kur u votua rendi i ditës në Parlament, por edhe më herët kur komisioni votoi nevojën për ndryshime kushtetuese. Dhe aty ishte e qartë se nuk kishte një shumicë prej dy të tretash të deputetëve.”, tha lideri i VMRO –DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Kovaçevski: Mickovski është paranoik
Kryeminstri Kovaçevski thotë se është i befasuar me qëndrimin e Mickoskit se bota dhe Europa janë kthyer kundër tyre në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Ndërsa sa i përket tezës se ka komplot botëror, Kryeministri thotë se kjo në asnjë rast nuk është në favor të qytetarëve apo shtetit, përveç karrierës politike të atij që e thotë.
“Teoritë se është një komplot botëror nuk i bëjnë dobi qytetarëve dhe shtetit, përveç karrierës politike të atij që i promovon. Nëse nuk reagojmë tani, do të na lërë vetëm në dhomën e pritjes dhe e kemi parë se ku na ka çuar kjo. Tani është momenti kur ka një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar. Me mbështetje të fortë nga shumë faktorë. Cila është alternativa? Nuk ka alternative se çfarë do të bëhej nëse nuk bëhemi pjesë e BE-së, asnjë nga ata që janë kundër nuk jep alternativë se çfarë do të bënim më pas.”, tha kryeminstri Dimitar Kovaçevski.
Nga LSDM thonë se Mickoski vazhdon me retorikën dhe sjelljen e njejtë si mentori i tij Gruevski. Social demokratët akuzojnë liderin e VMRO-DPMNE-së se dëshiron ta grindë vendin me botën dhe ta çojë në izolim.
“Mickoski thjesht ka kapacitet të krijojë vetëm armiq, ndaj mendon se të gjithë mendojnë kështu. Prandaj është paranoik për komplotet botërore. Megjithatë, kjo tregon vetëm zhgënjimet e tij personale, gjendjen e tij personale e cila është larg realitetit. Maqedonia gjatë kësaj periudhe ka përkrahje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare, nga Bashkimi Evropian dhe ka miq siç nuk ka pasur kurrë më parë, dhe këtë e kanë të qartë të gjithë përveç Mickoskit.”, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
LSDM thotë se do të kundërshtojë çdo përpjekje për të bllokuar rrugën evropiane të vendit, ndërsa Mickoski paralajmeron se 1 vit janë ofruar zgjidhje, tani në tavolinë e takimit eventual të liderëve është vetëm oferta e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe asgjë tjetër.
SANIJE DURAKU
